Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar sot në Bruksel Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson, të cilën e ka falënderuar për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët e saj.
“Kisha kënaqësinë që të takoj në Bruksel Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson. Shpreha falënderimin tonë për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Republika e Kosovës ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë. Komisionerja e BE për Punë të Brendshme Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër te procesit ekzistues deri në kompletimin e Liberalizimit të Vizave”.
Sveçla, mes tjerash, i tha Johansson se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbetet prioritet e institucioneve kosovare.
“Biseduam mbi arritjet e Qeverisë sonë nga hera e fundit kur jam takuar virtualisht me znj. Johansson. Lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i yni andaj në këtë kuptim kam shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet aleate për krijimin e stabilitetit në vendin tonë dhe më gjerë” ka shkruar Sveçla në Facebook.