Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi vizituan sot Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut.
Sipas Sveçles, gjatë këtij takimi u takuan me ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal, nënkolonel Veton Elshani.
Ministri Sveçla, tha se besueshmëria e krijuar ndaj Policisë dhe siguria ndaj qytetarëve që po e ofrojnë zyrtarët policor, ka reflektuar në raportim dhe trajtim efikas të rasteve.
“Besueshmëria e krijuar ndaj Policisë dhe siguria ndaj qytetarëve që po e ofrojnë zyrtarët tanë policor ka reflektuar në raportim dhe trajtim efikas të rasteve. Padyshim që Policia vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm dhe çdo ditë po ndikon në rritjen e përceptimit të sigurisë tek të gjitha komunitetet dhe kjo është vërtetuar së fundmi edhe nga përgjigjet e qytetarëve tanë serb në raporte ndërkombëtare kredibile, ku ka rritje për 18.61 % që nga nëntori i vitit të kaluar”, ka shkruar ai.
Pas kësaj Sveçla tha se kanë vizituar komunën e Mitrovicës së Veriut dhe pas takimit me kryetarin Erden Atiq, vizituan edhe depot ilegale të inerteve si dhe Lagjen e Boshnjakëve.
“Lirimi i hapësirave publike që ishin uzurpuar ndër vite dhe krijimi i hapësirave të shfrytëzueshme për qytetarët po trajtohen me prioritet nga Komuna. Ndërsa, siguria, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve në atë Komunë vazhdon të mbetet prioriteti ynë i përbashkët si nivel qëndror dhe lokal”, tha tutje Sveçla./teve1.info./