Inspektorati i Policisë së Kosovës ka suspenduar nga puna një zyrtar policor në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohet për fotografim apo incizim të paautorizuar.
Kjo është konfirmuar nga IPK përmes një komunikate për media ka thuhet se në lidhje me këtë rast, hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore.
“Hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit që po zhvillohet zyrtari policor është suspenduar.” – u tha nga IPK.
Ndërkohë, për rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, kjo ka të bëjë në lidhje me shpërndarjen e videos të një të dyshuari të arrestuar.
“Në një rast të fundit, ku është shpërndarë një video e një të dyshuari të arrestuar, nën dyshimin se ka shkelje disiplinore në këtë rast nga një zyrtar policor, duke u bazuar në udhëzimin përkatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari policor, i cili me vendim të drejtorit rajonal është suspenduar. Ky rast do të trajtohet bazuar në procedurat policore dhe po ashtu është proceduar për hetim dhe kompetencë të mëtejme në IPK.” – është thënë në komunikatën e Policisë.