Home Lajme Suspendohen tre policët që u shfaqën në një video duke festuar lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Triumf Rizës

Suspendohen tre policët që u shfaqën në një video duke festuar lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Triumf Rizës

0
Suspendohen tre policët që u shfaqën në një video duke festuar lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Triumf Rizës
Policët e supsenduar janë Valon Fetahu e Donat Jashari,  pjesëtarë të Anti-Terrorizmit dhe  Bashkim Krasniqi, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët në një video të publikuar dyshohet se janë shoqëruar persona me të kaluar kriminale, konkretisht shoqërim me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së  ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës Triumf Riza.

Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së, thotë IPK.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve  sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimet  ndaj tre zyrtarëve policorë të cilët sipas publikimit të një video në media ku bazuar në këtë video dyshohet janë në shoqërim të personave me të kaluar kriminale (shoqërim me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së  ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës Triumf Riza). Lidhur me rastin është informuar Prokuroria e Shtetit, ndërkaq në interes të zhvillimit të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së”.

Sot Paparaci.com raportoi se tre policët po darkonin e ngrinin dolli me njëri-tjetrin në tavolinën të shoqëruar nga Rrahim Abdullahu, një i afërt me Enver Sekiraqën dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij.

Videoja e cila e shfaq Rrahim Abdullahun të rrethuar në shoqëri me zyrtarë të Policisë së Kosovës është incizuar në një ndejë private.

Në fakt, bëhej fjalë për një festë. Vetëm dy ditë para ndejës, një tjetër anëtar i pretenduar i bandës së Sekiraqës ishte liruar nga paraburgimi.

Ndryshe, Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën ‘Liza’, është  liruar nga paraburgimi me dorëzani në mesin e muajit tetor.

Ai nuk është vetëm bashkëpunëtor i Sekiraqës e ‘Rrumqit’, por edhe djali i xhaxhait të Rrahim Abdullahut.

Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga paraburgimi Ilir Abdullahun, disa javë pas arrestimit të tij. Në vend të paraburgimit, ‘Lizës’ iu vendos masa e dorëzanisë.

Deri te arrestimi i tij në muajin korrik, ‘Liza’ i ishte shmangur drejtësisë për 15 vite.

Për vrasjen e 27 vjeçarit Triumf Riza, i dënuar me 35 vjet burg është Arben Berisha.

Exit mobile version