Home Lajme Suspendohen nga puna 4 policë, shkak një fotografi me elozhe ndaj tyre që u shpërnda në Facebook për Bajram

Suspendohen nga puna 4 policë, shkak një fotografi me elozhe ndaj tyre që u shpërnda në Facebook për Bajram

0
Suspendohen nga puna 4 policë, shkak një fotografi me elozhe ndaj tyre që u shpërnda në Facebook për Bajram

Një fotografi e katër zyrtarëve policorë, e shkrepur në Veri të Kosovës dhe shpërndarë në Facebook nga një portal lokal i Mitrovicës, u ka kushtuar atyre me suspendimin nga puna në Polici të Kosovës, për 3 ditë. Portali në fjalë nderonte policët për detyrën e tyre, në ditën kur po festohej festa e Fitër Bajramit.

Vendimi për suspendimin e tyre u mor dhe u kumtua të nesërmen, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, dhe u zgjati tre ditë.

“Ne po festojmë, këta po na ruajnë Kosovën”, ishte përshkrimi i një fotografie nga Veriu i Kosovës ku shiheshin 4 pjesëtarë të Policisë së Kosovës në detyrë. Fotografia u shpërnda në facebook fillimisht nga një portal lokal në Mitrovicë, për tu rishpërndarë edhe nga mediat dhe faqet tjera të facebook’ut.

Por, ndonëse qëllimi ishte t’i nderonte katër policët që po patrullonin në veri, në ditën kur pjesa tjetër e qytetarëve të vendit po festonin Fitër Bajramin, kjo fotografi 4 zyrtarëve policorë nga Deçani, Granit Shehaj, Jeton Jahmurataj, Tahir Mazrekaj dhe Hazir Tahiraj, u kushtoi me suspendim 3 ditë nga puna, shkruan Reporteri.net.

Vendimi iu kumtua atyre të nesërmen, me 22 prill 2023, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, prej nga edhe vinin policët. Suspendimi i policëve u nënshkrua nga drejtori rajonal Shaban Shala. Por, pas tre ditësh, më 25 prill 2023 masa ndaj tyre u hoq, duke u përfunduar suspendimi i tyre.

Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës, i tha gazetës online Reporteri.net se rasti i takon Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe informacionet të kërkohen nga ta.

“Nuk mund të japim informacione, pa njoftimin e Inspektoratit Policor”, ka thënë Rugova të mërkurën për gazetën online Reporteri.net.

Por, IPK’ja gazetës online Reporteri.net i tha të kundërtën, se “nuk ka trajtuar ndonjë rast të tillë”. “Andaj ju lutem përcilleni kërkesën tuaj te Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës njoftuan se e kanë proceduar kërkesën e gazetës për informata më tutje dhe deklaruan se posa të kenë përgjigje do ta përcjellin për publikim.

Në vitin 2020 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës përmes një vendimi ua kishte ndaluar pjesëtarëve të saj të postojnë apo të komentojnë nëpër rrjetet sociale. Por, paradoksi i rastit të 4 policëve nga rajoni i Pejës që po patrullonin në Veri është se fotografia e tyre është shkrepur dhe shpërndarë nga mediat online. Fotografia nuk paraqet asnjë pamje denigruese apo sjellje të pahijshme të këtyre policëve në detyrë. Përkundrazi ata lëvdohen për punë e tyre. Dhe për këtë ata janë suspenduar të nesërmen në puna.

Exit mobile version