4.9 C
New York
Thursday, December 5, 2024

Buy now

Surroi: Kosova dhe Serbia rrezikojnë një luftë të re të ftohtë mes tyre

- Advertisement -

Publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi vlerëson se sulmi i javës së kaluar në Kosovë përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Surroi, aktualisht këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, thotë se moszbatimi i marrëveshjes të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dëshmon dobësinë e ndërmjetësve dhe se për çdo proces të ardhshëm do të duhen garanci ndërkombëtare dhe trajtim i çështjeve të sigurisë. Zoti Surroi i tha koleges Garentina Kraja se pret që administrata e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do ta shikojë çështjen e Kosovës brenda një konteksti shumë më të gjerë se tani – atë të luftës së Rusisë dhe zhvillimit të botës euro-aziatike.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, javën e kaluar në Kosovë u sulmua kanalin i furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u cilësua si sulm ndaj infrastrukturës kritike. Prishtina akuzoi Beogradin se qëndron pas sulmit, ndërkohë që Serbia e mohoi përgjegjësinë. Si e shpjegoni këtë zhvillim dhe ndikimin e tij në procesin e dialogut?

Veton Surroi: Mendoj se gjëja më e rëndësishme nga ky shpërthim është fakti që është analog me sulmet që bën Rusia në Ukrainë, pra kundër infrastrukturës kritike. Në rastin e Rusisë përdoret armatimi, përdoren dronët, raketat. Në rastin e Kosovës është përdorur një shpërthim eksplozivi. Ky është brengosës. Natyrisht në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me veprim terrorist, në rastin e Rusisë kemi të bëjmë me luftë të hapur. Por ndikimi i shpërthimit është përshkallëzim i mëtejshëm, brengosës dhe përtej analizës se kush është fajtor, se kjo do të tregohet nga hulumtimet, me rëndësi është sot të informohemi nga strukturat e sigurisë së Serbisë se sa kanë ditur për këtë veprim dhe nëse kanë indicie, apo nëse kanë indicie që të drejtojnë në kahje tjetër, le t’i tregojnë. Ky borxh i mbetet strukturave të sigurisë të Serbisë, për shkak të veprimit që kanë bërë me rastin e Banjskës dhe sulmit paraushtarak të grupit të Radojçiçit. Aso kohe, strukturat e sigurisë së Serbisë është dashur të tregojnë se sa kanë ditur për këto veprime. Nëse nuk kanë ditur, pse. Nëse kanë ditur, pse nuk i kanë penguar këto veprime, ose a kanë ndihmuar në këto veprime. Këto janë gjëra të ndërlikuara që kanë të bëjnë me sigurinë, por që janë tepër të nevojshme, në mënyrë që të krijohen bazat e një besimi të ndërsjellë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët rastin e Banjskës dhe tensionet e tjera në veri gjatë vitit të kaluar, për të cilat mendohej se do të shtonin trysninë e Perëndimit ndaj palëve, ndaj Kosovës dhe Serbisë, për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit të arritur në Ohër. Por në realitet një gjë e tillë nuk ndodhi dhe tensionet mbetën të larta. A është ky fundi i dialogut në këtë formë?

Veton Surroi: Ndoshta nuk po i jepet fund dialogut në këtë formë, por po i jepet fund besimit se vetëm me këto veprime mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, Kosova ka hyrë në një proces negociatash me vullnet të plotë. Kryeministri disa herë ka përsëritur gatishmërinë e tij për ta nënshkruar marrëveshjen. Serbia disa herë ka deklaruar, edhe me shkrim, se nuk mund ta pranojë marrëveshjen në tërësi. Kjo ka dëshmuar dobësinë e ndërmjetësve dhe tash duhet të hyjmë në një fazë të re, në të cilën garancitë e bashkësisë ndërkombëtare duhet të jenë të tilla që palët t’i kuptojnë seriozisht dhe t’i hyjnë një zbatimi të një procesi i cili, pos kësaj dinamike të përhershme, duhet të trajtojë çështjet e sigurisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se po i hapet rruga një procesi të ri tani që ka një udhëheqje të re të Bashkimit Evropian, por edhe në Uashington me administratën e re të Presidentit të posazgjedhur Trump?

Veton Surroi: Tash do të shohim. Kushtet janë për një veprim të ri e të shohim a ka gatishmëri dhe përgatitje. Mos të harrojmë, çështja e Kosovës është shumë e vogël në krahasim me krizat e mëdha në botë. Bota kurrë nuk ka qenë më e pasigurtë që nga rënia e Murit të Berlinit dhe në këtë drejtim edhe më e ndërlikuar. Dhe në këtë ndërlikim, ajo çka mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian është që t’i hyjnë me një energji shumë më të madhe këtij procesi, në mënyrë që të tejkalohet sa më shpejt, sepse është krizë tepër e vogël për të shpenzuar shumë kohë në të.

Zëri i Amerikës: A është kjo një krizë që mund të tejkalohet shpejt? Synimet e Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të jenë diametralisht të kundërta. Në fakt, pas këtyre zhvillimeve të vitit të fundit, cilat janë synimet e palëve?

Veton Surroi: Synimet e Kosovës janë të qarta. Është integrimi në Bashkimin Evropian, integrimi në NATO, marrëveshje me Serbinë, e cila është pjesë e këtij rrugëtimi. Serbia është e ndarë në synimet e veta strategjike dhe ky është një problem real, por ky është një problem i cili e tejkalon Kosovën dhe Serbinë, sepse ndarja përgjatë çerek shekullit të kaluar, vija ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë vija ndarëse mes botës euroatlantike dhe Rusisë. Rusia, në çfarëdo forme, ka penguar që të përmbyllet normalizimi i marrëdhënieve në mënyrë që kjo pjesë të jetë pjesë e natyrshme e Perëndimit. Në çerek shekullin e ardhshëm rreziku është që nëse vazhdon gjendja e tanishme, vija ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë vija ndarëse mes botës euroatlantike dhe botës euro-aziatike dhe do ta sjellim luftën e re të ftohtë në kufijtë tonë. Ky nuk është interes strategjik as i Kosovës, as i Perëndimit, besoj as i Serbisë në të ardhmen dhe duhet të tejkalohet kjo gjendje.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni nga administrata e re amerikane në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Veton Surroi: Ndoshta është shumë herët ende, sepse duhet të shohim kush janë njerëzit dhe cilat janë prioritetet. Por ato çka dimë dhe njerëzit të cilët i njohim është se çështja e Kosovës shikohet brenda një konteksti shumë më të gjerë, e kjo është lufta e Rusisë dhe zhvillimi i botës euro-aziatike. Në atë kuptim, besoj që do të jetë në interes të administratës Trump, që sa më shpejt t’i hyjë kësaj pune në mënyrë që mos të krijohet kjo vijë ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë, si vijë ndarëse mes botës euro-atlantike dhe asaj euro-aziatike.

Zëri i Amerikës: A ju shqetëson fakti që marrëdhëniet e administratës Trump herën e fundit ishin të acaruara me Kryeministrin Kurti, ndonëse ai kishte marrëdhënie jo të lehta në fakt edhe me administratën e Presidentit Biden. Disa vëzhgues thonë se këto marrëdhënie janë në pikën e tyre më të ulët. A pajtoheni?

Veton Surroi: Nuk besoj që janë në pikën më të ulët, por besoj që është shumë nevojë e madhe që të ngrejmë nivelin e marrëdhënieve me administratën e re dhe kjo natyrisht nuk është prioritet vetëm i Kosovës. Çdo shtet në Evropë përpiqet të vendosë marrëdhënie me administratën e re dhe që të integrojë interesat e veta në këto marrëdhënie dhe që t’i intergojë në atë mënyrë që të jenë pjesë e interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos të harrojmë, Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë dhe kjo është një letër hyrëse për komunikim me cilëndo administratë.

Zëri i Amerikës: Këto ditë u nda nga jeta Ambasadori Morton Abramowitz, i cili ishte i përfshirë në proceset që u dhanë fund luftërave në ish Jugosllavi e po ashtu ishte edhe këshilltar i qeverisë së Kosovës në procese të ndryshme. A druheni se me kalimin e viteve dhe ndryshimin e brezave Kosova po e humbet një memorie ndërkombëtare institucionale dhe kontekstin që e rrethon atë?

Veton Surroi: Natyrisht po humbim njerëz shumë të dashur dhe të mirë, njerëz që na kanë ndihmuar shumë, roli i të cilëve për fat të keq nuk njihet aq shumë as në Kosovë, por ajo çka ndodh është se kemi hyrë në një botë krejt tjetër dhe në këtë botë krejt tjetër, e cila është krejtësisht e ndryshme prej asaj të fundit të shekullit 20, kur është zgjidhur çështja e Kosovës me ndërhyrjen, me çlirimin e Kosovës, me vendosjen e mundësisë që në mënyrë evolutive të shpallet pavarësia, kemi hyrë në një botë e cila ndryshon dhe në të cilën duhet të krijohen marrëdhënie të reja, me njerëz të rinj.

Zëri i Amerikës: A mendoni që Kosova është e përgatitur për këtë fazë të ardhshme?

Veton Surroi: Po kjo është si puna e testimit të ujërave në liqen apo në det. Duhet të hidhet njeriu dhe të notojë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit