18.5 C
New York
Tuesday, June 17, 2025

Buy now

Supremja shfuqizon paragrafin që KPM e shtoi dhe me të cilin zgjodhi kryetarin e ri pa i skaduar mandati të vjetrit

- Advertisement -

Instituti Demokratik i Kosovës ka fituar një betëjë gjyqësore mjaft të rëndësishme për demokracinë në vend. Bëhet fjalë për rregullorën e Komisionit të Pavarur të Mediave, me të cilën ishte mundësuar zgjedhja e jashtligjshme e kryetarit të këtij komisioni. Instanca më e lartë gjyqësore, Gjykata Supreme ka shpallur Aktgjykimin, me anë të së cilës e shfuqizon paragrafin e nenit të atakuar, si dhe e ka lënë në kompetencë të Gjykatës Themelore (bashkangjitur me këtë aktgjykim), për të vendosr në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të KPM-së.

“SHPALLET i paligjshëm dhe SHFUQIZOHET paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-2025/01), e miratuar në mbledhjen e mbajtur më datë 17 janar 2025” – thuhet në dispozitivin e këtij Aktgjykimi.

Tutje, aty thuhet, “Pasi që ky aktgjykim të merr formën e prerë, dosja e lëndës PA.6/2025, së bashku me shkresat e sajë, ti dërgohet gjykatës së shkallës së parë, për vendosje lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së të datës 17 janar 2025, të kontestuar me padi”.

Këtë aktgjykim e ka mirëpritur njëri ndër anëtarët e IKD-së, Betim Musliu, i cili në Facebook ndër të tjera shkroi, “Kur IKD thote diçka, vuloseni sa ma shpejte, sikurse ka vepruar Gjykata Supreme e Republikes se Kosoves”

Aktgjykimin e rëndësishëm e mirëpriti edhe juristja e mediave, Flutura Kusari e cila shkroi ndër të tjera, “Gjykata Supreme ka vendosë sot që ndryshimi i rregullores qaty për qaty nga ana e KPM-së për me e zgjedhë kryetarin e ri ende pa e kry mandatin ish kryetari fantastik Jeton Mehmeti është i kundërligjshëm.” – shkroi ajo.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, më 29 janar të këtij viti ka ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.

Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. Gjithashtu, IKD kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.

Ndryshe, sa i përket ndryshimit të rregullores, KPM në atë mbledhje ka shtuar një paragraf (2) në nenin 3 të saj, përmes të cilit u mundësua zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, përderisa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025.

Konkretisht, paragrafi i shtuar përcakton se “Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.

Ndërsa, në këtë padi, IKD ka konsideruar se kjo dispozitë është e kundërligjshme, e vendosur në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të procedurave ligjore. Më tej, në padi theksohet se ndryshimi i kundërligjshëm i kësaj dispozite të Rregullores ka prodhuar pasoja tjera të kundërligjshme, përmes së cilave ka ardhur deri tek zgjedhja e kundërligjshme e kryetarit të ri të KPM-së.

“Përkundër dispozitave të qarta ligjore, në rastin konkret, kryetari i ri i KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, është zgjedhur, sa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025”, thuhet tutje në këtë padi.

Ndërkaq, sa i përket bazës ligjore, në padi thuhet se pikërisht Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Medieve, mbi bazën e të cilit është nxjerrë Rregullorja e kontestuar, në nenin 8 të tij ka përcaktuar obligueshmërinë e zhvillimit të konsultimeve publike në rastet e miratimit të akteve nënligjore

Të ngjashme

Të fundit