Gjykata Supreme, me vendimin e 23 korrikut 2025, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Besart Gashi, avokati Besnik Berisha. Supremja ia hoqi dënimin me 1 mijë euro gjobë dhe ricilësoi veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” nga neni 414, në nenin 422. Mbetet në fuqi dënimi me 15 muaj burgim me kusht.
Gashi ngarkohej se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Gjakovë, Gashin e kishte dënuar me 15 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë, mirëpo Apeli e kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke e dënuar Gashin me 15 muaj burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë.
Kundër këtyre aktgjykimeve ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mbrojtësi i të dënuarit Gashi, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve të dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në vendimin gjyqësor. Propozoi që aktgjykimet të ndryshohen ashtu që i dënuari të lirohet nga akuza apo të anulohen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Prokurori i Shtetit me parashtresën e 12 marsit 2025, ka propozuar që kërkesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar.
Kolegji i Supremes i përbërë nga Rasim Rasimi-kryetar, Mejreme Memaj e Agim Maliqi-anëtarë, gjeti se kërkesa është pjesërisht e bazuar.
Shkalla e tretë vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë është i qartë dhe konkret, përmban arsye të duhura dhe të drejta mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështjeje juridiko- penale.
Sipas Supremes, nga shkresat e lëndës- respektivisht provat e administruara, në mënyrë të padyshimtë rezulton se i dënuari gjatë periudhave të cekura si në dispozitiv të aktgjykimit kishte regjistruar 560 automjete pa pagesë të taksës komunale, 41 raste me parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftim, pesë raste me afat të skaduar të kontrollit teknik dhe katër raste me dokumentacion që iu ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës.
Nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, rezultojnë qartë veprimet inkriminuese të të dënuarit që konsistojnë në mospërmbushje të detyrave zyrtare, respektivisht mosndërmarrje të veprimeve në kuadër të detyrave apo autorizimeve zyrtare.
“Ndërsa, është evidente se dispozitivi i aktgjykimit le dilema përkitazi me dobinë pasuror të përfituar nga i dënuari, por, kjo nuk e bën aktgjykimin me të meta të atilla që do të kushtëzonin anulimin e tij…”, thuhet në vendim.
Duke i vlerësuar pretendimet në këtë drejtim, Supremja vlerëson se pretendimet e mbrojtjes sa i përket aplikimit të Ligjit Penal përkitazi me veprën penale në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit që ka të bëjë me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me pararagrafi 1 të KPRK-së, janë të bazuara.
Kështu, Supremja gjen se nga shkresat e lëndës del se i dënuari Gashi veprimet inkriminuese i ka ndërmarrë gjatë periudhës kohore (22.08.2017-15.12.2020), kurse, nga 610 raste të theksuara në dispozitiv të aktgjykimit përkitazi me regjistrimin e automjeteve, del se vetëm 50 prej tyre janë ndërmarrë brenda periudhës kohore të Kodit Penal i cili ka hyrë në fuqi më 14 prill 2019, kurse rastet tjera janë ndërmarrë gjatë kohës sa ishte në fuqi Kodi Penal i vitit 2013.
“Duke pasur parasysh se vepra penale u ricilësua sipas ligjit penal të vitit 2013 sipas të cilit nuk parashihet dënimi me gjobë, kjo gjykatë i ndryshoj aktgjykimet përkitazi me këtë vepër penale sa i përket vendimit për dënimin me gjobë, ndaj të dënuarit dënimin e shqiptuar me kusht e mori si të vërtetuar, kurse dënimin e shqiptuar me gjobë në shumë prej 1000 € e hoqi”, thuhet në vendim.
Ndërsa, sipas Supremes, nuk janë të bazuar pretendimet e mbrojtësit përkitazi me veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit zyrtar”.
Sipas vendimit, është normale që dëshmitari G.M., në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk ia kishte kërkuar të dënuarit ndryshimin e dokumentit origjinal- librezën e veturës.
“Është normale që dëshmitari G. M. në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk ia kishte kërkuar të dënuarit ndryshimin e dokumentit origjinal-librezën … të veturës …, që në rubrikën e vërejtjes të shënonte se vetura posedon … të …, por, nga dëshmia e tij del qartë se ky dëshmitar veturën e kishte shite menjëherë kurse pronari që e kishte blerë veturën dëshmitari Sh. Sh. bazuar në këtë dokument ia kishte venë veturës … për … e … të pasme”, theksohet më tej në vendim.
Prandaj, Supremja thotë se bazuar në rrethanat e rastit konkret- veçanërisht mbrojtjen e të dënuarit, rezulton qartë se i dënuari ishte i vetëdijshëm se po e ndryshonte dokumentin origjinal, kurse për ekzistimin e kësaj vepre penale është jorelevant fakti nëse kryerësi e kishte bërë me kërkesë të dikujt apo kishte qëllim të realizojë përfitim për vete apo tjetrin apo kishte për qëllim ta përdorë vetë apo që tjetri ta përdorë.
Fillimisht, Themelorja në Gjakovë e kishte dënuar Gashin me burgim prej 15 muaj dhe 4 mijë euro gjobë . Po ashtu, atij i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik prej dy vitesh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Por, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë , duke e dënuar me 15 muaj burgim me kusht.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi/