Trajtim selektiv, shkelje e parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit.
Këto paligjshmëri i gjeti Gjykata Supreme në një Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Bujqësisë për Pagesa Direkte në Bujqësi të miratuar më 19 mars të këtij viti – nëntë nene të të cilës i shpalli të paligjshme dhe i shfuqizoi në një vendim të prerë.
Këtë vendim – të pakthyeshëm – e mori Gjykata Supreme pas padisë së “Stonecastle” e cila i sfidoi disa provizione të këtij Udhëzimi Adminitrativ.
Neni 21, Paragrafi 2, Nënparagrafët 2.1 dhe 2.2 të Udhëzimit Administrativ, siç vendosi Supremja, shpallen të paligjshëm dhe anulohen për shkak të trajtimit diskriminues.

Si u arsyetua?
Supremja konstatoi se dispozitat e kontestuara ndikojnë në mënyrë disproporcionale te paditësi, si i vetmi subjekt në Kosovë që kultivon vreshta mbi 100 hektarë, duke krijuar trajtim selektiv dhe diskriminues pa justifikim objektiv.
Ministria nuk arriti të ofrojë analizë të qartë dhe të dokumentuar që justifikon shkallëzimin e subvencioneve për sipërfaqe të mëdha vreshtash, duke shkelur parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Shkallëzimit të subvencioneve, ndonëse është një praktikë e zakonshme – vijon arsyetimi – i mungon transparenca dhe proporcionaliteti në këtë rast, duke ndikuar në të drejtën e paditësit për subvencione të drejta bujqësore.
Siç tha Gjykata Supreme, Aktgykimi bazohet në Ligjin për Konfliktet Administrative (Nr. 08/L-182), Ligjin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural (Nr. 08/L-072), Ligjin për Ndarjen Buxhetore (Nr. 08/L-032) dhe ligjet kundër diskriminimit, duke theksuar drejtësinë, transparencën dhe mosdiskriminimin.
Vendimi është përfundimtar, pa ankimim të lejuar sipas Nenit 10, Paragrafi 4 i Ligjit për Konfliktet Administrative, thuhet në Aktgjykim. Ky vendim siguron anulimin e dispozitave diskriminuese të subvencioneve, duke “promovuar trajtim të drejtë në politikën bujqësore”.

