Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Alternativa, që drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ky subjekt politik ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme me të cilën konteston ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për periudhën pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Subjekti politik Alternativa ka kundërshtuar faktin që nuk ishte përfshirë në ndarjen e këtyre mjeteve.
“Gjykata Supreme konstaton se PZAP ka vepruar drejt kur e ka hedhur poshtë ankesën si të palejuar, pasi sipas Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, PZAP ka kompetencë të shqyrtojë vetëm ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së që janë të përcaktuara shprehimisht me këtë ligj. Vendimet e KQZ-së që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike nuk përfshihen në kategoritë e vendimeve që mund të ankimohen në PZAP”.
Gjykata Supreme vlerëson se as Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk parashikon të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të KQZ-së për ndarjen e fondeve, përveç në rastet që lidhen me dispozitat ndëshkimore.
“Edhe pse ankesa në PZAP nuk është e lejueshme për këtë kategori vendimesh, subjekti politik ka mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes procedurave të tjera gjyqësore të parashikuara me ligj, përfshirë kontrollin gjyqësor të akteve përfundimtare të organeve publike.






