Superliga e Kosovës vazhdon sot me tri ndeshjet e mbetura të xhiros së 12-të.
Pas dy barazimeve gjatë ditës së djeshme, Superliga e Kosovës rikthehet në aksion sot me tri ndeshje mjaft interesante.
Dje, Ballkani barazoi me Ferizajn në Suharekë, teksa në kryeqytet, Prishtina e Gjilani po ashtu u ndanë baras.
Në Gjilan, kampionia në fuqi, Drita i bën konak Llapit të Tahir Batatinës.
Drita hyn në këtë ndeshje pas humbjes nga Drenica në Skënderaj, teksa Llapi pas fitores së madhe ndaj Prishtinës në Podujevë.
Në ndeshjen e parë të këtij sezoni mes këtyre dy skuadrave nuk pati fitues, pasi ndeshja u mbyll 1-1 në “Zahir Pajaziti”.
Dukagjini i Ismet Munishit sot do t’i bëj konak Malishevës, që ende s’ka trajner pas largimit të Qatip Osmanit.
Klinasit fituan ndaj Gjilanit në ndeshjen e mesjavës, teksa Malisheva u mposht thellë nga Ballkani në shtëpi.
Ndeshja e parë sezonale mes Dukagjinit dhe Malishevës i përkiste Dukagjinit, me shifrat prej 1-0.
Prishtina e Re, e promovuar këtë edicion në Superligë, do ta pres Drenicën sot në Lipjan.
Në “Sami Kelmendi”, Prishtina e Re, e drejtuar nga Shpëtim Babaj synon të kthehet te fitorja, e cila i mungon që shtatë ndeshje.
Ndërkohë, Drenica mori një fitore të madhe xhiron e kaluar, pasi e mposhti Dritën në “Bajram Aliu” me shifrat prej 3-1.
Të gjitha ndeshjet e përmendura nisin nga ora 13:00. /Express/






