Kombëtarja e Spanjës shihet si pretendente kryesore për të fituar Kupën e Botës FIFA 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, me Kosovën që po ashtu ka gjasa të jetë pjesë e eventit madhor.

Dardanët luajnë në gjysmëfinalen e play-offit, ndaj Sllovenisë, ndërsa nëse kalon tutje, Kosova do të përballet me fituesin e ndeshjes Turqi -Rumani.

Ti kthehemi superkompjuterit të platformës statistikore Opta Sport, i cili e sheh “La Roja” me 17% shanse për të triumfuar në turneun që nis pas verës së ardhshme.

Spanja, kampione aktuale e Evropës, është në një ecuri të jashtëzakonshme prej 31 ndeshjesh pa humbje (25 fitore dhe 6 barazime).

Humbja e fundit daton në mars të vitit 2023 kundër Skocisë, një dëshmi e forcës së skuadrës së drejtuar nga përzgjedhësi De la Fuente.

Franca ndjek pas, Anglia në vendin e tretë

Pretendentja e dytë sipas modelit statistikor është Franca, me 14.1% shanse. “Gjelat”, nënkampionë të botës në vitin 2022, kanë zhvilluar 175 ndeshje nën drejtimin e Didier Deschamps dhe fituan Kupën e Botës 2018 dhe Ligën e Kombeve 2021. Pjesë e skuadrës është edhe fituesi aktual i Topit të Artë, Ousmane Dembele.

E treta në renditje është Anglia me 11.8% shanse. Që nga ardhja e gjermanit Thomas Tuchel, anglezët kanë fituar nëntë nga dhjetë ndeshje, duke rikthyer besimin se mund të luftojnë seriozisht për titull.

Skuadra e parë jashtë Evropës në listë është Argjentina, kampione në fuqi e botës, me 8.7% shanse. Pas saj vijnë: Gjermania, Portugalia dhe Brazili.

Një Kampionat Botëror historik

Kupa e Botës 2026 do të jetë e veçantë për disa arsye. Për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare, ndërsa po ashtu për herë të parë organizohet në tre shtete njëkohësisht dhe do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.

Shorti zyrtar i fazës së grupeve do të hidhet më 5 dhjetor në Uashington, çka pritet të konfirmojë rrugën e secilës kombëtare drejt trofeut më prestigjioz në futbollin botëror.