Sezoni 2024/25 i Ligës së Kampionëve po shkon drejt fundit dhe pas pak javësh do ta njohim emrin e skuadrës që do ta pasojë Real Madridin në krye të futbollit evropian.
Por, çka thotë “superkompjuteri”?
Sipas faqes së specializuar për statistika, “Opta Analytics”, Arsenali, i cili e eliminoi kampionin aktual në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 5:1, për momentin është skuadra favorite për ta fituar finalen e madhe me 31,3% të mundësive.
Në Londër natyrisht e marrin këtë lajm si ngacmim për faktin se “Gunners” nuk e kanë fituar kurrë “kupën me veshë të mëdhenj”.
Sipas “Opta”, vendin e dytë me më shumë gjasa për ta fituar trofeun më të rëndësishëm të futbollit evropian është Barcelona me (27,4%.
I treti për nga mundësitë për të festuar në fund është Paris Saint-Germaini, më saktësisht me 22%.
Kurse, superkompjuteri e radhit Interin me më së paku mundësi për të triumfuar në fund – 19,2%.
Nesër dhe pasnesër do të luhen ndeshjet e para gjysmëfinale të Championsit, ndërsa javën tjetër do të përcaktohen edhe dy finalistët e këtij kompeticioni.