PDK ka vlerësuar se draft-statuti i Asociacionit është shqetësues për vendin, duke thënë se krijon një nivel të tretë të pushtetit në vend, ku komuniteti serb do të ketë një nivel të madh të vetëmenaxhimit. Si e sheh PDK e Memli Krasniqit draft-statutin e Asociacionit?
PDK ka njoftuar të premten se e ka marrë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Abdullahu për mediat vendore.
PDK nuk e ka komentuar ende pasiqë e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit. Por, javë me parë, zyrtarët e kësaj parti kishin shumë kritika lidhur me draft-statutin në fjalë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dy javë me parë në Kanal 10, ka thënë se është hera e parë që ka draft të tillë të Asociacionit.
Kreu i PDK-së ka thënë se Asociacioni që ka pasur të themelohej në të kaluarën ka qenë komplet pa kompetenca ekzekutive.
“Kurrë Kosova dhe Serbia nuk kanë nënshkruar marrëveshje, ka pasur inicializim por jo nënshkrim. Ai mundet sot me inicializu në Bruksel marrëveshje. Këto janë të pavërtetat e Kurtit”, tha Krasniqi.
“Në momentin që është bërë Kurti, kryeministër qasja e tij ndaj dialogut dhe partnerëve ndërkombëtar ka pasur reperkusione dhe ne i kemi thanë në vazhdimësi”, tha Krasniqi në emisionin “Politiko”.
Madje, sipas Krasniqit, Kurti po e krijon një “super Zajednicë”.
“Ky draft i Asociacionit është pa njohje, kjo është super Zajednicë. Ky tekst nuk jam i sigurtë që e kalon testin e kushtetutshmërisë”, tha Krasniqi.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se drafti i statutit të Asociacionit, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë është shqetësues për vendin.
Tahiri për KosovaPress, u shpreh se përmes Asociacionit do të krijohet një nivel i tretë i pushtetit në vend, ku komuniteti serb do të ketë një nivel të madh të vetëmenaxhimit.
“Ajo çka kemi parë tani nga drafti që duket të tjetër më i përafërt me draftin origjinal të Asociacionit që tashmë e kanë institucionet e Kosovës, e ka presidentja, kryeministri por jo deputetët dhe nuk kanë dijeni qytetarët. Për atë draft që po qarkullon ka mjaft shqetësime sepse po flasim për një shtrirje territoriale dhe një vetë menaxhim të komunitetit serb, po flasim për një organizim të tyre që formën e ka të Asociacionit, por përmbajtja është komplet tjetër. Gjithkund në botë merre e sheh një asociacion e sheh, pasi e drejta e asocimit garantohet edhe me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo ato janë çështje që nuk janë thelbësore për qeverisjen e një komune që i trajton asociacioni”, tha ai
“Çështjet që i trajton Asociacioni janë më periferike dhe që mund t’i bashkojnë komunat në çështje të ndryshme, qoftë turizëm, sport, kulturor apo të tjera, por jo në vendimmarrje, jo në shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik dhe çështje të planifikimit urban dhe rural. Këto janë kompetenca janë të institucioneve lokale dhe qendrore. Të bartën kompetenca të tilla në një institucion është mjaft serioze pasi po krijohet një nivel i tretë i pushtetit, pasi po merr kompetenca nga niveli lokal dhe në anën tjetër ka komunikim direkt me Qeverinë e Kosovës”, thotë ai.
Ndërsa, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Kurti i cili tha se drafti i Bashkimit Evropian i dorëzuar nga emisarët më 21 tetor është draft statut pakrahasueshmërisht më i avancuar se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Më tutje, ajo tha se në vitin 2013 e 2015 nuk ka pasur statut.
“Kryeministër, as në 2013 e as 2015 NUK ka pasur STATUT për asociacionin. Statuitin e sollët ju. E tash, publikojeni nëse na qenka aq i mirë. Pak transparencë.” – ka deklaruar ajo. /Nacionale/