Dyzet e gjashtë trupa janë gjetur, pasi disa persona të armatosur sulmuan një fshat në pjesën veriore të Nigerisë, thanë zyrtarët qeveritarë.
Sulmi ndodhi të mërkurën në komunitetin Umogidi të shtetit Benue, ku përleshjet hakmarrëse janë të rëndomta mes barinjve nomadë dhe bujqve që garojnë për tokë dhe burime, raporton gazeta “The Guardian”.
“46 viktimat u gjetën dhe u tërhoqën. Shumë njerëz janë ende të zhdukur, prandaj numri i të vrarëve mund të jetë më i lartë”- tha të premten Paul Hemba, këshilltar për siguri i guvernatorit shtetëror.
Ai i fajësoi barinjtë, për të cilët tha se i kanë sulmuar komunitetet lokale gjatë muajit të fundit. “Ushtarët janë dislokuar në zonë, prandaj situata është paksa e qetë tani”- shtoi këshilltari.
Motivi i sulmit nuk qe i qartë, por Benue ka qenë njëri prej shteteve më të goditura nga përleshjet mes bujqve dhe barinjve, të cilët i akuzojnë për shkatërrimin e tokës së punueshme me kullotjen e gjedheve.
Një përfaqësues i shoqatës kombëtare të barinjve nuk qe menjëherë i gatshëm për koment.
Dhuna mes komuniteteve është vetëm njëra ndër sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet presidenti i zgjedhur, Bola Tinubu, i cili i fitoi zgjedhjet muajin e kaluar. Gara u përcoll me shtyrje e me akuza për manipulim të votave.
Forcat e sigurisë po ballafaqohen edhe me një konflikt 14-vjeçar me xhihadistët në pjesën veriperëndimore të vendit dhe me sulmet e separatistëve në juglindje.