Yanis Varoufakis, lideri i partisë së majtë opozitare greke MeRA-25 është sulmuar nga persona të panjohur mbrëmjen e së premtes.
Varoufakis, ishte në një aktivitet në një restoran në lagjen Eksarchia të Athinës kur papritur u gjend i rrethuar nga të paktën 20 deri në 30 persona me maska dhe u sulmua me grushta në fytyrë, shkruan Greek Reporter, përcjell Klankosova.tv.
Sipas informacioneve nga dëshmitarë të ngjarjes thuhet se ai ka rënë përtokë i plagosur kur e kanë goditur me shqelma dhe grushte,ndërsa dikush nga personat me maska e ka akuzuar se ai kishte nënshkruar memorandumet e ndihmës evropiane për Greqinë me masa shtrënguese për grekët.
Varoufakis u dërgua menjëherë në spitalin “Evangelismos” për të marrë ndihmën e parë, ku është kosntatuar me dëmtime dhe një frakturë në zonën e hundës dhe më pas është larguar për në shtëpi.
Në prononcimin e tij të parë mëngjesin e së shtunës ai deklaroi : “Nuk do të lejojmë që parashteti dhe bota e krimit të na ndajnë. Ata që më sulmuan nuk ishin anarkistë të majtë apo pjesëtarë të ndonjë lëvizjeje, por keqbërës të natës”.
Kurse, hetimet policore për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të sulmit të mbrëmshëm janë në zhvillim, dhe kjo ngjarje u dënua unanimisht nga gjithë partitë politike të vendit që kanë theksuar se dhuna nuk ka vend në demokraci.
Varoufakis, ka qnë ish-ministër i Financave në qeverinë e Aleksis Tsipras për dy vjet, ndërsa partia më e madhe opozitare Syriza shprehet se mund të bashkëpunojë me partinë që ai drejton pas zgjedhjeve parlamentare që janë shtyrë për shkak të aksidentit më të madh hekurudhor në vend, në të cilin vdiqën 57 persona, i cili ka rritur edhe zemërimin popullor ndaj paaftësisë shtetërore e mangësive në disa sektorë të administratës publike.