Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, u ka bërë thirrje kryeqendrave perëndimore që të marrin masa kundër Serbisë.
“Ajo që ndodhi të dielën, më 24 shtator të vitit 2023, ishte një akt i agresionit të hapur të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, tha Gërvalla për “The Guardian”. “Kjo u dëshmua edhe në ditët e fundit, me një mori dëshmish”.
Gërvalla ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke zbuluar më tepër armë dhe pajisje ushtarake në pjesë të ndryshme në veri të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë.
Gërvalla e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ajo ka thënë se kjo nuk përbën rrezik vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
“Synimi i këtij agresioni ishte të pushtohej veriu i Kosovës dhe imponimi i ndarjes, që është synimi i zyrtarëve qeveritarë të Serbisë që kanë punuar vazhdimisht, hapur dhe fshehtazi, për vite të tëra. Derisa ne po angazhoheshim në Bruksel në atë që quhet një dialog normalizimi, Serbia ishte duke u përgatitur për pushtimin e vendit tonë. Vetëm falë profesionalizimit të policisë sonë dhe reagimit me kohë, sulmi terrorist nuk ishte i suksesshëm”, tha Gërvalla.
Ajo ka shtuar se “asgjë nuk mund të mbetet siç ka qenë”.
“Duhet të shohim veprime të qarta nga BE-ja dhe perëndimi kundër Serbisë. Është e pakuptueshme se si Kosova ende sanksionohet nga BE-ja për zbatimin e sundimit të ligjit, ndërsa Serbia po tolerohet në agresionin e saj të stilit Donbas kundër një fqinji sovran”, tha Gërvalla.
Serbia ka mohuar se qëndroi prapa sulmit në Banjskë, përkundër dëshmive. Ndërkohë të martën në Serbi është arrestuar ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Ai kishte pranuar se kishte organizuar sulmin në Banjskë.