Futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë Kosovës, Belgin Jashari, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e pati ndaj ShF Arsenalit.
Pas kësaj, sot ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu tha se ky veprim përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe se Kosova është atdhe i të gjithë neve.
Dënoj ashpër aktin e dhunës ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, i cili u sulmua fizikisht gjatë një ndeshje në Fushë Kosovë. Ky veprim i papranueshëm përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe rrezikon mirëqenien emocionale të të gjithë fëmijëve të pranishëm. Dhuna, sidomos me motive racore, nuk ka vend në asnjë hapësirë që u dedikohet fëmijëve.
Republika e Kosovës, vendi ynë, është atdhe i të gjithë neve, pa asnjë dallim. Shtypja, racizmi dhe çfarëdo dhune tjetër nuk mund të tolerohet prandaj ky rast duhet të trajtohet me seriozitet të lartë duke ndëshkuar autorin dhe me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Edhe FFK-ja ka dënuar ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri.
Një ngjarje të tillë, FFK-ja e quan të papranueshme dhe që bie ndesh me sportin dhe vlerat që kultivohen si shoqëri: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor.
“Futbolli është sporti që na bashkon. Fusha e gjelbër është vendi ku secili i ri duhet të ndihet i sigurt dhe i vlerësuar – pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë etnike. FFK i qëndron pranë Belginit dhe çdo sportisti që përballet me padrejtësi të tilla. Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat e të gjithë futbollistëve tanë dhe, në vazhdimësi, punojmë për një ambient të lirë nga diskriminimi dhe paragjykimet”, thuhet tutje në reagim.
Federata shton tutje se Belgini është pjesë e familjes së futbollit dhe nuk qëndron i vetëm