“Ky është një akt terrorist për ne. Është hedhur një mjet shpërthyes në infrastrukturën e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit. Është dëmtuar kanali kryesor që furnizon me ujë kompanitë ujësjellëse dhe Korporatën Energjetike të Kosovës”.
Këto ishin deklaratat e para të Faruk Mujkës, drejtor i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit që sapo lamë pas kur në kanalin kryesor të ujit të kësaj ndërmarrjeje në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim.
Ndonëse ishin momentet e para pas sulmit, shpejt u kuptua se sfida më e madhe ishte furnizimi me ujë i KEK-ut, por edhe i disa qyteteve. Fjala ishte për dy Mitrovicat, Obiliqin, Drenasin, Skënderajn, Vushtrrinë, Fushë-Kosovën dhe një pjesë të Prishtinës.
Punëtorët e Ibër-Lepencit kishin dalë në numër të madh në Varagë me qëllimin që sa më parë t’i dilnin në ndihmë KEK-ut, korporatë e cila shfrytëzon ujin e Ibër-Lepencit për ftohjen e turbinave.
Aty dolën edhe forca të shtuara të policisë, por edhe pjesëtarë të ushtrisë amerikane që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it.
Në orët e para pas sulmit, në vend të ngjarjes dolën edhe zyrtarë shtetërorë, përfshirë ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Faruk Mujka, drejtor i “Ibër-Lepencii”.
Në dritë të këtyre zhvillimeve, i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti thirri konferencë të jashtëzakonshme për në orën 23:30 në mënyrë që të njoftojë opinionin me informacionet më të fundit nga sulmi terrorist.
“Sonte u desh të mblidhemi këtu, në këtë orë të vona, këtu në kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda kriminale, terroriste, dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, që ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv dhe armiqësor”, thoshte Kurti në atë konferencë të jashtëzakonshme.
Shpëtoi KEK-u
Për të evituar një katastrofë energjetike, te vendi i shpërthimit u dërguan mjete të rënda pune në mënyrë që të rregullohej sa më parë, së paku edhe përkohësisht, qarkullimi i ujit në drejtim të KEK-ut.
Kështu, mëngjesin e parë pas sulmit, Korporata Energjetike e Kosovës iu rikthye normalitetit.
“Pas një nate plot ankth e stres, me gëzimin më të madh ju lajmëroj se pas një pune të palodhshme të gjithë aktorëve relevantë, në kushte atmosferike tejet të rënduara, me në krye ndërmarrjen FAMIS CO, punëtorët e Ibër-Lepencit dhe Policinë e Kosovës, në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali i Ibër-Lepencit”, pati thënë Mujka atë mëngjes.
Pas kësaj, rifilloi edhe furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës.
E zgjidhja ideale, marrë parasysh rrethanat, u realizua rreth 7 dhe 8 dhjetorit, kur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se është funksionalizuar bypassi në kanalin e Ibër-Lepencit.
Dëmi nga ky shpërthim, sipas Faruk Mujkës, mbërrinte vlerën prej rreth 400 mijë eurove. Ai tha se riparimi i kanalit do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që e gjithë puna pritet të finalizohet deri më 30 qershor të vitit 2025.
Në kërkim të terroristëve, u gjetën armë e municione
Pas konferencës së jashtëzakonshme të Kurtit, ky i fundit, rreth orës 01:30 të datës 30 nëntor, mblodhi Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai tha se nga kjo mbledhje u aprovuan masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.
Kurti u takua edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, e me këtë të fundit u takua edhe presidentja Vjosa Osmani. Pos kësaj, e para e shtetit ka pritur në takim edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe ambasadorin e BE-së.
Pas këtij takimi, Komandantja Supreme theksoi se sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
Takime me përfaqësues të shteteve mike në Kosovë pati edhe kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit pati theksuar se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit.
Por, një ditë pas sulmit, në pjesë të ndryshme të veriut u arrestuan tetë persona si të dyshuar për sulmin në fjalë.
Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati thënë se është konfiskuar edhe arsenal armësh, pas bastisjeve që janë bërë nga Policia e Kosovës në komunat veriore.
Po ashtu, ai tha se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.
Në të njëjtën konferencë për media, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se “për realizimin e këtij sulmi terrorist, konsiderohet se është përdorur një sasi prej 15-20 kg eksploziv, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë, e cila është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”.
Më 2 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar për rastin në fjalë, duke çuar në 10 numrin e të ndaluarve. Ata dyshoheshin për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Disa ditë më vonë, Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes udhëheqëses së departamentit për Komunikim Publik, Liridona Kozmaqi, deklaroi për Klankosova.tv se dy persona gjenden nën masë paraburgimi për shkak të dyshimit për përfshirje në këtë sulm. Detaje tjera nuk u dhanë.
Më 20 dhjetor, ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, bëri të ditur ekskluzivisht në “Rubikon” se sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, po e heton FBI-ja.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë sjellë mbështetjen e FBI-së për ngjarjet, dhe se hetimet për këtë po vazhdojnë pandërprerë.
Aleatët e dënojnë ashpër sulmin
Përfaqësuesit e shteteve aleate të Kosovës reaguan menjëherë pas sulmit, duke i dalë në mbrojtje Kosovës.
Prej të parëve ishte ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili tha se vendi i tij e dënon fuqishëm shpërthimin që ndodhi në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
Pos këtyre, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e kishte dënuar fuqishëm sulmin në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kishte thënë se ky sulm tregon për brishtësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Edhe misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, tha se ky sulm pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e dënoi shpërthimin.
Po ashtu, sulmin terrorist e kishte dënuar edhe tashmë ish-përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Madje ky e kishte quajtur sulmin qartazi “terrorist”.
Për sulmin në fjalë kishin reaguar ministritë e Jashtme të Turqisë, Gjermanisë dhe Italisë, të cilat të gjitha e kishin dënuar sulmin.
Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty, pati thënë se ky është sulm i tmerrshëm, duke u shprehur se i njëjti kishte për qëllim prishjen e jetës në mbarë Kosovën.
E zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, kishte deklaruar se DASh-i mbështet Kosovën për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit e këtij akti kriminal.
A kishte gisht shteti serb?
Institucionet në Kosovë e kishin akuzuar që nga fillimi Serbinë për organizimin e këtij sulmi terrorist.
Por, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, më 1 dhjetor i ka ikur përgjegjësisë mbi këtë sulm.
Madje ndërsa i shmangej temës, ai hidhte akuza indirekte ndaj NATO-s se e mundësoi vendosjen e FSK-së në veri.
“Po i pyes pjesëtarët e NATO-s se a jam duke e thënë të vërtetën? A e dini çka ndodhi nëntë minuta pasi Kurti kinse u njoftua [për shpërthimin]? Nuk ishte edhe aq befasi për të! Pas nëntë minutave i dërgoi kërkesë KFOR-it për ta çuar FSK-në në veri të Kosovës”, shprehej Vuçiq.
Më 24 dhjetor, kryeministri Albin Kurti akuzoi direkt terroristin Millan Radoiçiq se qëndron prapa planifikimit të sulmit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit. Në një konferencë për media, ai tha se këtu gisht ka edhe Serbia për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit.
“Bazuar në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë, prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Millan Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist që po strehohet dhe mbështet nga Serbia. Për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë. Sulmi është planifikuar paraprakisht nga Millan Radoiçiqi, për realizimin e tij janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës ‘Mbrojtja Civile’ e cila financohet nga Serbia, dhe trajnohet në vazhdimësi atje. Grupi i parë ka ofruar mbështetje logjistike në terren, ndërsa grupi i dytë disa persona profesionistë, ku besohet se ka pasë persona nga struktura të caktuara të sigurisë së Serbisë të afërta me Radoçiqi, janë përfshirë në realizimin e sulmit”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Radoiçiqi në fund nuk ishte i kënaqur me sulmin, pasi sipas Kurtit, ai priti që kanali të dëmtohej në tërësi.
Ambasadori Hovenier, në një deklarim për ATV, kishte thënë se “momentalisht ShBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes”.
Por homologu i tij në Beograd, Christopher Hill, e dha një deklaratë pak më ndryshe. “Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, ishte shprehur Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.
Çka është ndërmarrja Ibër-Lepenci
Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës me 28 Shkurt 1967, me seli në Prishtinë. Është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar, si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.
Në faqen e ndërmarrjes thuhet se ndërmarrja është konstituuar në vitin 1986 si ndërmarrje shoqërore me qëllim të operimit dhe mirëmbajtjes të infrastrukturës të këtij sistemi shumfunksional.
Ndërtimi i këtij sistemi është paraparë të bëhet në dy faza:
IBRI ( ka përfunduar në vitin 1986 );
LEPENCI (nuk është realizuar).
Prej pas luftës Ibër-Lepenci është transformuar në ndërmarrje publike nga UNMIK-u. Ndërkaq, pas korporatizimit të ndërrmarjes, më 1 janar të vitit 2008, ndërmarrja është shndërruar në ndërmarrje hidro-ekonomike “Ibër-Lepenc” Sh. a.
“Ndërmarrja është Shoqëri Aksionare në pronësi 100% të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në uebsajtin e ndërmarrjes. /Klankosova.tv