Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se sulmi ndaj mediave me artikullin e “Slobodna Bosna”, është “manifestimi më brutal“ i kontrollit të RTK’së nga pushteti.
Azemi ka thënë se ky sulm ishte i orkestruar, e dokumentuan zyrtarë, deputetët e ministrat e VV’së, që i dhanë jehonë këtij shkrimi.
Sipas tij, “kapakun” ia vuri Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dje tha se e njoftoi Prokurorinë për shkrimin, e gazetën boshnjake e quajti “kredibile”.
“Derisa kanë kaluar dy ditë nga ky super-skandal i transmetuesit publik që paguhet nga taksat tona, askush nuk dha përgjegjësi që publikut iu servua një shpifje në edicionin qëndror të lajmeve. Në anën tjetër, zyrtarët e pushtetit paralelisht udhëheqin të njëjtën propagandë.
Këtë tentim që RTK-në me shndërru në organ partiak të partisë në pushtet, nuk guxojmë ta lejojmë. Pushtetet që duan kontroll të fjalës së lirë e lirisë së mediave, i takojnë një mendësie të rrezikshme, me rrënjë në një pjesë të palavdishme të historisë njerëzore”, ka thënë Azemi.