Të enjten e 12 prillit, Prokuroria Speciale do të dorëzojë kërkesën për paraburgim ndaj tre personave të dyshuar për sulmin e gazetarit Valon Syla.
Kështu ka bërë të ditur për Lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.
“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë ditës do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 të KPRK-së”
Theksojmë se gjatë mbrëmjes së djeshme, është bërë e ditur se është bërë arrestimi i personave që kanë sulmuar gazetarin Syla.
Të arrestuarit, sipas Prokurorisë, janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H.
Valon Syla ishte sulmuar fizikisht edhe një vit më parë.
Personi i dyshimtë në rastin e sulmit ndaj Sylës ishte liruar vetëm pasi kishte paguar një gjobë.
Por jo vetëm kaq. Gazetarë dhe opinionist të shumtë në Kosovë vazhdimisht janë kërcënuar e sulmuar nga persona të ndryshëm.
Sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve vazhdojnë të jenë shumë shqetësuese.
Madje fyerje e deri tek sulmet ka pasur edhe nga zyrtarë shtetërorë. Të gjitha këto kërcënime në drejtim të gazetarëve vazhdimisht kanë krijuar situata të frikshme, e për të cilat pati edhe reagime edhe nga institucionet e huaja.
Derisa gazetarët raportojnë në Kosovë, të njëjtit vazhdojnë edhe të përballen me fyerjet, sulmet e kërcënimet e shumta që iu bëhen thuajse çdo ditë.