Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se është e paprecedentë dhe e papranueshme masa e paraburgimit prej 30 ditëve për tre zyrtarët e Policisë së Kosovës të kidnapuar nga Serbia.
Sveçla ka thënë se Serbia agresore nuk po ndalohet me orkestrime të akteve të tilla, duke përmendur edhe sulmet me shok-bomba në stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, sulmin ndaj veturës së Policisë së Kosovës, sulmin ndaj veturës së ministrit Elbert Krasniqi dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe kameramanëve.
Ministri Sveçla ka thënë se të gjitha këto kanë ndodhur nga personat e njëjtë që pranojnë urdhra të tilla kriminale nga personat e njohur për autoritetet tona.
Ai gjithashtu ka thënë se mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cenojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhrat i marrin nga Beogradi.
Postimi i plotë:
Tre zyrtarët tanë policorë të kidnapuar në territorin tonë nga forcat speciale të Serbisë, vazhdojnë të mbahen në Serbi dhe për më keq, atyre sot i’u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme.
Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona.
Të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njejtë që pranojnë urdhëra të tillë kriminal nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cënojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhërat i marin nga Beogradi.
Përkundër të gjitha sulmeve, Policia jonë nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë angazhimin e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim e kundër të gjitha bandave e kriminelëve pa dallim.