Të premten e fundit të Ramazanit është goditur një xhami në Afganistan, duke lënë së paku 10 të vdekur dhe 20 të tjerë të plagosur. Ky sulm ishte më i fundit në një seri sulmesh kundrejt vendeve të adhurimit dhe objektivave civilë gjatë muajit të Ramazanit.
Besmullah Habib, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme afgane, tha se shpërthimi ndodhi të premten në xhaminë Khalifa Aga Gul Jan në perëndim të Kabulit kur qindra besimtarë ishin mbledhur për t’u falur dhe meqë ishte e premtja e fundit e Ramazanit xhamia ishte e mbushur plot.
Wahid, një afgan rreth të 30-ave, tha se ishte në shtëpi kur dëgjoi shpërthimin e fuqishëm dhe nxitoi për në xhami menjëherë, duke e ditur se vëllai i tij ishte atje. Ai kujtoi skenën e kaosit, britmat dhe thirrjet për ndihmë. Ai ka ndihmuar në transportimin e të plagosurve në autoambulanca.
“Të gjithë qanin dhe ishin të mbuluar me gjak”, tha Wahid. “Më thanë se vëllai im ishte lënduar”.
Tash për tash, asnjë grup s’e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.