Të paktën pesë pjesëtarë të personelit amerikan u plagosën nga një sulm kundër një baze ushtarake në Irak të hënën, thanë zyrtarë të ShBA-së, përderisa Lindja e Mesme po përgatitet për një valë të re sulmesh nga Irani dhe aleatët e tij pas vrasjes së anëtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut javën e kaluar.
Dy raketa të tipit “Katyusha” u hodhën drejt bazës ajrore “Asad” në perëndim të Irakut, thanë dy burime irakiane të sigurisë. Një burim irakian i sigurisë tha se raketat ranë brenda bazës. Qe e paqartë nëse sulmi ishte i lidhur me kërcënimet e Iranit për hakmarrje rreth vrasjes së udhëheqësit të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, raporton agjencia “Reuters”.
“Personeli i bazës është duke kryer një vlerësim për dënimin pas sulmit” – shtoi njëri nga zyrtarët.
Irani ka thënë se Shtetet e Bashkuara bartin përgjegjësi për vrasjen e kreut të Hamasit, sepse e përkrahin Izraelin, të cilin e kanë fajësuar për vrasjen.
Në një telefonatë të zhvilluar të hënën, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, dhe ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, u pajtuan se ky sulm shënon “një eskalim të rrezikshëm”, sipas një komunikate të lëshuar nga Pentagoni.
Javën e kaluar, ShBA-ja kreu një sulm në Irak kundër individëve për të cilët amerikanët thanë se ishin militantë që po bëheshin gati për të hedhur dronë dhe që paraqisnin rrezik ndaj ShBA-së dhe forcave të koalicionit.
Pentagoni ka thënë se do të dislokojë aeroplanë luftarakë dhe luftanije shtesë në Lindje të Mesme, përderisa Uashingtoni po synon që ta fuqizojë mbrojtjen pas kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij, Hamasi e Hezbollahu./Nacionale/