Janë të parët që u dalin në ndihmë qytetarëve gjatë fatkeqësive natyrore e aksidenteve në trafik, mirëpo janë thuajse të fundit që pushojnë. Kjo për shkak të numrit të vogël të zjarrfikësve në çdo qendër emergjente në Kosovë. Kërkohet me prioritet shtimi i tyre
Janë ndër të parët që intervenojnë në çdo gjendje emergjente.
Për shuarjen e qindra zjarreve gjatë verës, e në ndihma gjatë aksidenteve në trafik.
Por e gjithë kjo punë e zjarrfikësve në Suharekë bëhet me numër të vogël të kapaciteteve.
Ndërsa bazuar në numrin e banorëve, në këtë qytet do të duhej të ishin 30 deri në 40 zjarrfikës e jo 11 siç janë aktualisht.
“Jem katër ndërrime, punojmë nga dy zjarrfikës në ndërrim, komuna na ka pru nja pesë zjarrfikës shtesë. Po këtë verë i kemi pasë përafërsisht mbi 300 intervenime, zjarre fushore dhe malore”, thotë Halil Bytyçi, zëvendëskomandant i ekipit në Suharekë.
E vështirësia rritet kur duhet të dalin disa herë brenda ditës në teren.
Andaj nga kjo qendër emergjente kanë një kërkesë për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Na Suhareka jemi 11 zjarrfikës, kështu që një numër shumë i vogël sepse kemi një teren shumë të madh. I kemi mbi 40 fshatra komuna e Suharekës, ku këta 11 zjarrfikës jemi shumë pak. Kërkojmë prej qeverisë që të na bjen zjarrfikës”, thotë Bytyqi.
E një tjetër problem i stafit emergjent është edhe mosha mesatare e zjarrfikësve.
“Nuk i plotëson as nevojat elementare pra me popullatën që ekziston, në të shumtën e komunave zjarrfikësit janë në mungesë të madhe të stafit të tyre. Përjashto këtu deri diku Prishtinën e cila qëndron më mirë si me staf ashtu edhe me pajisje. Kësaj i shtohet edhe mosha mesatare e zjarrfikësve e cila është rreth të 50-tave në mbarë Kosovën, atëherë kjo e bën edhe më të vështirë intervenimin e tyre”, vlerëson Tahir Ahmeti, ekspert i emergjencave.
Tëvë1 ka pyetur edhe Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencave në MPB se a pritet të shtohen zjarrfikës në qendrat e zjarrfikësve në vend, mirëpo deri në publikimin e kronikës të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.