Federata Suedeze e Futbollit ka njoftuar se do të raportojë në polici disa komente të bëra në rrjete sociale pas humbjes 0–2 të Suedisë ndaj Kosovës.
Kjo pasi, siç ka thënë shefi i sigurisë i Federatës, Martin Fredman, disa nga to i kanë kaluar kufijtë.
“Një numër prej tyre kanë kaluar kufirin, duke u shndërruar në kërcënime të paligjshme dhe ngacmime”, deklaroi Fredman për “TV4 Fotbollskanalen”, raporton “svt.se”, transmeton Klankosova.tv.
Kritikat ndaj paraqitjes së Suedisë në ndeshjen kualifikuese të Botërorit, të zhvilluar të hënën në Prishtinë, kanë qenë të shumta. Megjithatë, sipas Federatës, disa reagime kanë kaluar përtej kufijve të lejueshëm.
“Sot kemi disa komente që do të raportohen në polici. Jo të gjitha janë automatikisht të dënueshme, shumë prej tyre janë thjesht fyerje. Por një numër i konsiderueshëm përmbajnë kërcënime të paligjshme dhe ngacmime. Këto janë rastet që po i shqyrtojmë dhe do t’i çojmë më tej”, theksoi Fredman.
Ai nuk deshi të zbulojë emrat e personave ose lojtarëve që janë bërë shënjestër e komenteve, por theksoi se ato lidhen si me llogarinë zyrtare të ekipit kombëtar, ashtu edhe me profilet e lojtarëve e trajnerëve.
Kombëtarja suedeze e ka nisur dobët rrugëtimin drejt Botërorit të vitit të ardhshëm në Amerikën e Veriut, me një barazim 2-2 në transfertë kundër Sllovenisë dhe një humbje 0-2 ndaj Kosovës