Sot gjatë ditës, kompania private “KESCO”, nëpërmjet një postimi bëri të ditur se është njoftuar se nga nesër e në ditët në vijim do të ketë mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike, e gjë e cila, në rastin më ekstrem nënkupton që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët do të duhet të mbulohet përmes importit.
Kjo deklaratë bëri që të nis një ‘stuhi’ reagimesh e kritikash për atë që u quajt kolapsi energjetik, e të cilat në qendër të tyre kishin kritikën ndaj qeverisjes së Albin Kurtit.
Ndër të parët që reaguan ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha mes tjerash se kriza energjetike po ‘‘rrënon ekonominë kosovare’’.
‘‘Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare. Investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji. Paqartësia nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit’’, ka shkruar ai.
Tjetër anëtar i LDK-së që reagoi rreth situatës me energjinë në vend, ishte Visar Azemi.
Azemi në postimin e tij deklaroi se në Ferizaj, sot dhe dje qytetarët dhe bizneset nuk kanë pasur rrymë, pa asnjë shpjegim.
‘‘Si në dimër, si në verë, qytetarët e Ferizajit po përballen me mungesë të rrymës. Sot dhe dje, qytetarët dhe bizneset nuk kanë pasur rrymë, pa asnjë shpjegim. Duke qenë që Ferizaji është qendra e dytë ekonomike në Kosovë – me një numër të madh të bizneseve, sidomos atyre prodhuese – ndërprerjet e vazhdueshme të rrymës iu shkaktojnë humbje të mëdha bizneseve në qytetin tonë’’, shkroi ai mes tjerash.
Lidhur me deklarimin e KESCO-s, pati reagime edhe nga shoqëria civile.
Ehat Miftaraj nga IKD në reagimin e tij lidhur me kolapsin energjetik, deklaratën e KESCO-s e cilësoi si lajm tepër të keq për qytetarët.
“Lajm teper i keq per qytetaret. Parajse financiare per tregtaret e rrymes nga pushteti.Ministre Rizvanolli nese kjo ndodh, neser ne ora 8 ne mengjes ofrimi i doreheqjes do ishte minimumi nëse ke pak etike dhe integritet”, ka shkruar Miftaraj mes tjerash.
Rreth kësaj kanë ardhur reagime edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, ku kreu i kësaj partie, Memli Kransiqi, ka thënë se njoftim i tillë se gjithë konsumi i brendshëm duhet të mbulohet nga importi është alarm për gjendjen e sektorit të energjisë që është si pasojë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike.
“Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç se po përballen me çmime marramendëse të energjisë, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënim me reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë”, ka shkruar ai.
Pos tij, nga PDK ka reaguar edhe Vlora Çitaku e cila ka thënë se pushteti për LVV-në nuk është mjet për tu shërbyer qytetarëve por është qëllim në vetvete.
“Kollaps në energji. Kollaps në ekonomi. Kollaps në politikën e jashtme. Kollaps në Kuvend. Por për LVV-në kjo nuk ka rëndësi. Sepse për ta, pushteti nuk është mjet për tu shërbyer qytetarëve, është qëllim në vetvete. Dhe për këtë qëllim, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka tjetër“, ka shkruar Çitaku.
Reagim ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më saktësisht nga kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se kjo nuk është rastësi, por sipas tij, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm.
“Kosova sot flen në thëngjill e s’ka energji. Sot ranë të gjitha blloqet, aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë” ka shkruar Haradinaj.
Për shkak të gjitha këtyre reagimeve, KEK mbajti një konferencë për media pasdite.
Aty, kryeshefi Egzekutiv i KEK Gramos Hashani, tha se duke s’do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, dhe se kjo duhet të jetë e qartë.
Ai po ashtu, tha se ata nuk merren me deklaratat që janë bërë sot rreth kolapsit energjetik.
Po ashtu, tutje ai ka thënë edhe KEK do të prodhojë edhe nesër energji elektrike dhe se energjia nuk do të ‘‘importohet energjia nesër 100%’’.
‘‘Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, ta kenë këtë të qartë. Ne e kemi deklaruar në mëngjes sot, kapacitetet të prodhimit të cilat i kemi planifikuar për nesër. Ka pasur një pasiguri nga ekipi i termocentralit Kosova A për të deklaruar atë kapacitet për nesër, kjo është keqkuptuar dhe është dhënë deklarata të ndryshme, që ne nuk merremi me to që KEK për herë të parë pas 25 viteve nuk prodhon as një megavat brenda ditës. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi angazhuar në maksimum, dhe kemi bë atë korrigjim të deklarimit të kapaciteteve që njësia A3 do të prodhojë edhe nesër. Ne nuk merremi me deklaratat e KESCO-s, ne kemi komunikim të vazhdueshëm me ta sepse kemi edhe marrëdhënie kontraktuale, dhe i kemi partnerë strategjikë. Ne do të prodhojmë energji elektrike nesër, nuk importohet energjia nesër 100%’’, ka thënë ai. /Express/