Një studim i ri ka tronditur botën shkencore duke sfiduar teoritë tradicionale për mënyrën se si u ndërtuan piramidat e Egjiptit të lashtë, sipas “Le Figaro”. Sipas kërkimeve të reja, ndërtuesit mund të kenë përdorur një sistem të avancuar hidraulik, që shfrytëzonte ujin e Nilit për të ngritur blloqet gjigante të gurit në lartësi.
Studimi, i udhëhequr nga arkeologu francez Xavier Landreau dhe botuar në revistën “PLOS ONE” përqendrohet tek Piramida e Djoserit në Saqqara, ndërtimi monumental më i hershëm në Egjipt.
Analizat tregojnë se ndërtuesit mund të kenë përdorur ujin e përmbytjeve sezonale të Nilit për të krijuar presion të mjaftueshëm hidraulik, duke ngritur gurët përmes kanaleve dhe dhomave të posaçme nën tokë.
Në qendër të hipotezës qëndron struktura Gisr el-Mudir, e cila për dekada është parë si një mur ceremonial i papërfunduar.
Por studiuesit besojnë se ajo mund të ketë qenë një digë e lashtë, e aftë të mblidhte ujë nga shkretëtira dhe ta drejtonte drejt kompleksit piramidal përmes kanaleve të gdhendura me saktësi inxhinierike.
Analizat me imazhe satelitore dhe modele digjitale të terrenit zbuluan rrjete ujore që përputhen me konceptin e një sistemi funksional hidraulik.
Në brendësi të kompleksit janë identifikuar dy boshtet vertikale rreth 30 metra të thellë, të lidhur nga një tunel 200 metra i gjatë.
Studiuesit mendojnë se këta boshtet mund të kenë shërbyer si ashensorë hidraulikë, ku blloqet e gurit lëviznin përmes presionit të ujit, një mekanizëm që, nëse konfirmohet, do të përfaqësonte përdorimin më të hershëm të teknologjisë hidraulike në historinë e njerëzimit.
Sipas Landreau, kjo teori nuk mohon përfshirjen e punëtorëve në ndërtimin e piramidave, por ofron një shpjegim më teknik dhe realist për mënyrën se si mund të jenë ngritur strukturat kolosale me burime të kufizuara.
“Kjo është një qasje që bashkon arkeologjinë me hidrologjinë dhe inxhinierinë civile. Ajo tregon se Egjipti i lashtë mund të ketë qenë shumë më i avancuar sesa kemi menduar deri tani”, theksoi ai.
Nëse kjo hipotezë vërtetohet, ajo do të rishkruante historinë e inxhinierisë së lashtë, duke e paraqitur Piramidën e Djoserit jo vetëm si simbol të fuqisë dhe fesë, por si një mrekulli teknologjike që dëshmon për zgjuarsinë dhe aftësitë shkencore të civilizimit egjiptian.