Numri i amerikanëve që identifikohen si të krishterë ka qenë në rënie prej vitesh, por kjo shifër duket se po jep shenja ngadalësimi, sipas një studimi të ri të Qendrës Kërkimore Pew të publikuar të mërkurën.
Sipas Studimit të Panoramës Fetare, 62% e amerikanëve në moshë madhore e quajnë veten të krishterë. Megjithëse kjo është një rënie domethënëse krahasuar me vitin 2007, kur 78% e amerikanëve u identifikuan si të krishterë, Qendra Pew doli në përfundimin se përqindja e krishterë e popullsisë ka mbajtur një nivel relativisht të qëndrueshëm që nga viti 2019.
Sipas studimit, është ndalur edhe rritja e shpejtë e personave që nuk identifikohen me ndonjë besim fetar, duke qëndruar tashmë në një nivel përkohësisht të njëtrajtshëm. Rreth 29% e amerikanëve në moshë madhore identifikohen si jo fetarë, ndër ta 5% ateistë.
“Është befasuese të vëresh rishtazi këtë periudhë stabiliteti në besimin fetar në Amerikë, pas një periudhe të gjatë rënieje”, tha Gregory Smith, një ndër bashkëautorët e studimit të Qendrës Pew. “Diçka që nuk dimë me siguri është nëse këto shenja stabilizimi afatshkurtër do të provojnë të jenë një ndryshim i zgjatur për trajektoren fetare të vendit”.
Në disa mënyra, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë përgjithësisht shpirtërore. Shumë amerikanë kanë pikëpamje të së mbinatyrshmes, me 83% prej tyre që besojnë tek Zoti, apo një shpirt universal, dhe 86% që besojnë se njerëzit kanë shpirt. Rreth 7 nga 10 amerikanë besojnë tek parajsa, ferri, ose tek të dyja.
Të rinjtë janë më pak fetarë se të vjetrit
Megjithë këtë tendencë të gjithëpërhapur të shpirtërores, ekzistojnë edhe sinjale për një rënie të ardhshme fetare. Studimi i Qendrës Pew zbuloi për shembull një hendek të madh. 46% e të rinjve amerikanë në moshë madhore identifikohen si të krishterë, krahasuar me 80% të më të moshuarve. Gjithashtu të rinjtë kanë gjasa tre herë më shumë të mos identifikohen me ndonjë grupim fetar, se grupet e moshave më të mëdha.
“Këto lloj dallime brezash janë një pjesë e madhe e asaj që ka mundësuar rënien afatgjatë për besimin fetar në Amerikë”, tha Smith. “Ndërsa kanë kaluar breza të tërë personash shumë fetarë, ato janë zëvendësuar nga breza të rinjsh që janë më pak fetarë se prindërit dhe gjyshërit e tyre”.
Michele Margolis, studiuese politike në Universitetin e Pensilvanisë që nuk pati rol në studim, ka shqyrtuar nga ana e saj se si përfshirja me fenë ka ndryshuar.
Të rinjtë që arrijnë moshën madhore shpesh largohen nga besimi. “Më pas, kur martohen dhe bëjnë fëmijë, kjo është një kohë kur studiuesit vërejnë se besimi ka më shumë gjasa të bëhet i rëndësishëm”, tha zonja Margolis.
Ajo thotë se në pikëpyetje për të ardhmen është nëse të rinjtë amerikanë do t’i refuzojnë me vendosmëri organizmat fetare, apo nëse disa prej tyre do të rikthehen tek besimi me kalimin e moshës.
Të dhënat e Qendrës Pew nuk tregojnë që për periudhën 2007-2024, amerikanët të jenë bërë më fetarë me kalimin e moshës.
Zoti Smith thotë se “diçka duhet të ndryshojë” për të ndalur rënien afatgjatë të besimit në Amerikë, qoftë nëpërmjet bërjes më besimtare të popullsisë ndërsa rritet në moshë, apo me brezat e rinj që bëhen më besimtarë se prindërit e tyre.
Si ndërthuret politika me identitetin fetar
Rënia afatgjatë e besimit të krishterë në Shtetet e Bashkuara dhe rritja e personave jofetarë është e pranishme në të gjitha segmentet e popullsisë, pavarësisht traditës, gjinisë, racës, etnisë, arsimit dhe rajonit ku ndodhen. Por sipas studimit të Qendrës Pew, kjo tendencë është shumë më e qartë në radhët e liberalëve politikë. Studimi tregon se 51% e liberalëve nuk thonë se i përkasin ndonjë besimi fetar, një rritje kjo me 24% krahasuar me vitin 2007. Vetëm 37% e liberalëve amerikanë identifikohen si të krishterë, një rënie kjo nga 62% në vitin 2007.
Penny Edgell, sociologe në Universitetin e Minesotas që shërbeu si këshilltare për studimin e Qendrës Pew, thotë se pozicionimi fetar dhe politik përputhet me faktin nëse njerëzit “mbështesin strukturat e familjes tradicionale, partiarkale dhe të gjinisë”.
Zonja Edgell vë gjithashtu në dukje se afrikano-amerikanët e sfidojnë nocionin se të gjithë demokratët janë më pak fetarë se republikanët.
“Një përqindje më e lartë afrikano-amerikanësh janë demokratë, por niveli i përfshirjes së tyre fetare është ende vërtet i lartë”, tha zonja Edgell. “Kjo ka të bëjë me mënyrën se si institucionet fetare dhe politika janë ndërthurur në mënyra historikisht unikale për grupe të ndryshme”.
Gati 7 nga 10 afrikano-amerikanët protestantë i thanë Qendrës Pew se besimi ishte shumë i rëndësishëm për ta, pothuajse i njëjti nivel si evangjelistët dhe anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por, protestantët afrikano-amerikanë ka më shumë gjasa të identifikohen si demokratë (72%), ndërsa evangjelistët dhe të tjerët ka më shumë gjasa të identifikohen si republikanë (me 70% dhe 73%).
Studimi i Qendrës Pew mbulon edhe besime të tjera
Studimi i mëparshëm për Panoramën Fetare ishte bërë dhjetë vite më parë, me qëllimin për të studiuar të dhëna që nuk i mbulon censusi në Shtetet e Bashkuara.
Studimi i ri zbuloi se shumica e emigrantëve për në Shtetet e Bashkuara janë të krishterë (58%), por se ata gjithashtu ndjekin të njëjtën tendencë në rritje për mospërfshirje në organizma fetare – një e katërta e të rinjve të lindur jashtë Amerikës dhe që tashmë gjenden në SHBA, thonë se nuk i përkasin ndonjë besimi fetar.
Numri i amerikanëve që u përkasin besimeve të tjera është rritur, megjithëse janë një pjesë e vogël e popullsisë (7%). Këtu përfshihen 2% që janë hebrej dhe 1% që janë myslimanë, budistë dhe hindu.
Sipas studimit të Qendrës Pew, nga të krishterët amerikanë në moshë madhore, 40% janë protestantë dhe 19% janë katolikë. Në 3% e mbetur përfshihen anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të krishterët ortodoksë, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupe të tjera më të vogla të krishtera.
Sipas studimit, dy denominacionet më të mëdha protestante vazhdojnë të jenë Konventa Baptiste Jugore dhe Kisha e Bashkuar Metodiste – megjithëse të dyja këto organizata kanë humbur shumë anëtarë që nga studimi i parë i mbajtur në vitin 2007.
Studimi i Panoramës Fetare i Qendrës Pew u bë me anketime në gjuhët angleze dhe spanjolle në periudhën korrik 2023-mars 2024, me një kampion të popullsisë prej 36,908 personash të shpërndarë në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara. Kufiri i gabimit përllogaritet në minus ose plus 0.8%. /VOA