9.6 C
New York
Wednesday, January 14, 2026

Buy now

“Strategjia e Abdixhikut s’ishte e duhura”, Kraki: LDK ka nevojë për ripozicionim

- Advertisement -

Nezir Kraki nga koalicioni LVV–GUXO ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se marrja e përgjegjësive publike duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi për pasojat politike.

Duke folur në Debat Plus, Kraki ka kujtuar rënien dhe luhatjet e LDK-së në zgjedhjet e fundit, duke thënë se partia ka kaluar nga 13 për qind në vitin 2021, është ngritur në 18 për qind dhe tani është rikthyer sërish në 13 për qind, çka sipas tij e bën të domosdoshëm reflektimin e lidershipit.

Ai ka përshëndetur veprimin e Hykmete Bajramit, e cila ka ofruar dorëheqje nga pozita e nënkryetares së LDK-së, duke vlerësuar se partia ka nevojë për ripozicionim të qartë politik.

Sipas Krakit, LDK-ja duhet të sqarojë drejtimin dhe vijën politike që do të ndjekë në të ardhmen, pasi, siç u shpreh ai, strategjia e ndjekur nga kryetari Lumir Abdixhiku nuk ka dhënë rezultat.

“Kur marrim përgjegjësi publike duhet me pas edhe përgjegjësi për pasojat që i sjell, edhe fakti që LDK ka pasur një ulje drastike në 2021 ka ra në 13 tani u ngrit në 18 dhe tani prapë u rikthy në 13, është e udhës krejt legjitime që njerëzit figurat kryesore me ridimensionu, pak përgjegjësinë me shpërnda. Unë e përshëndes veprimin e zonjës Bajrami. Ata kanë nevojë me u ripozicionu. Me ditë në çka aderojnë tash e tutje, me çfarë vije, sepse strategjia e Abdixhikut doli se nuk paska qenë e duhura”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Kraki ka kritikuar gjithashtu qasjen e LDK-së në Kuvend gjatë muajve të fundit, duke e quajtur destruktive qëndrimin e saj për të mos votuar asnjë emër për kryeparlamentar.

“LDK për tetë apo dhjetë muaj në Kuvend ishte as bardhë e as zi. Dilnin me të njëjtën fjali: nuk votojmë asnjë emër. Kjo nuk ka pasur sens dhe ka qenë një qasje destruktive”, ka thënë ai.

Të ngjashme

Të fundit