18 C
New York
Sunday, September 7, 2025

Buy now

Stradner krahason situatën aktuale me vitet ’90, Kanin thotë se rajoni “nuk mund të mbështetet më në ndërhyrjet nga jashtë”

- Advertisement -

Vitet ‘90 rikthehen si paralajmërim për Ballkanin Perëndimor, i cili po kalon një nga periudhat më të trazuara politike në disa dekada. Nga bllokada institucionale në Kosovë, te protestat masive në Serbi, retorika separatiste në Bosnje e Hercegovinë dhe përçarjet në Mal të Zi – tabloja është një mozaik krizash. Ekspertët paralajmërojnë se indiferenca e Perëndimit, në një kohë kur Rusia përpiqet t’i shfrytëzojë dobësitë e rajonit, mund ta shtyjë Ballkanin drejt një spiraleje të rrezikshme.

Ballkani ka treguar se nacionalizmi nuk është vetëm retorikë, por shpesh pararendës i luftës.

Në vitet ‘90, ideologjia e Sllobodan Millosheviqit ndezi konflikte që lanë plagë të thella në rajon. Sot, hije të ngjashme po rikthehen përmes udhëheqësve aktualë. Në qendër të tyre, shumë vëzhgues vendosin Aleksandar Vuçiqin e Serbisë.

Në pushtet nga viti 2014, fillimisht si kryeministër, pastaj si president, ai ndjek një strategji që kombinon nacionalizmin me pragmatizmin politik, dhe shtrihet edhe përtej kufijve të Serbisë: në Kosovë, përmes sfidimit të autoritetit shtetëror; në Bosnje e Hercegovinë, përmes mbështetjes së hapur për separatizmin e liderit serb, Millorad Dodik; dhe në Mal të Zi, përmes ndikimit mbi grupet proserbe.

Në një gjendje të tillë kritike, Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington vëren se Vuçiq i përshkallëzon ose qetëson vetë krizat – jo për stabilitetin e rajonit, por për pushtetin e tij, duke rrezikuar ekuilibrat anekënd, sipas saj.

“Asgjë nuk është e izoluar, gjithçka është e ndërlidhur. Gjithçka që ndodh tani në Serbi lidhet shumë edhe me atë që ndodh në Bosnje, me Dodikun, me situatën në Kosovë dhe me polarizimin në Mal të Zi. Sepse, fatkeqësisht, ajo që ndodh në Beograd, e përcakton drejtimin e gjithë rajonit”, thotë Stradner për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

E, rajoni duket se është mbërthyer në një cikël krizash që po thellohen.

Në Kosovë kanë kaluar mbi 200 ditë nga zgjedhjet, por institucionet nuk janë konstituuar. Përplasjet politike e kanë lënë Kuvendin pa nënkryetar serb, ndërsa vendi prej vitesh gjendet edhe nën masa ndëshkuese të BE-së, i bllokuar në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe shpesh në qendër të kritikave për një qasje të perceptuar si të pakoordinuar.

Në Mal të Zi, në pushtet janë partitë proserbe dhe proruse. Bashkë me Kishën Ortodokse Serbe, ushqejnë përçarjet etnike dhe kërkojnë lidhje më të ngushta me Serbinë.

Por, situata është akoma më e nxehtë në Bosnje e Hercegovinë, ku lideri serb, Millorad Dodik, sfidon hapur autoritetin e shtetit, duke injoruar vendimin e gjykatës që i ka hequr mandatin e presidentit të Republikës Sërpska.

Ai përhap urrejtje etnike, madhëron kriminelët e luftës, mohon gjenocidin e Srebrenicës dhe lobon hapur për shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Në krah të vetin, Dodik ka edhe Vuciqin, ndonëse të sfiduar nga protestat e studentëve – që janë ndër më të mëdhatë në historinë e Serbisë.

Shkëndijë që ndezi zemërimin e tyre para dhjetë muajsh, ishte shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Katastrofa iu atribua korrupsionit qeveritar dhe nxiti thirrje për zgjedhje të parakoshme.

Me rritjen e zemërimit në rrugë, reagimi i regjimit të Vuciqit u bë më drakonian. Pa asnjë provë, ai akuzoi ‘agjitatorët e huaj’ për përpjekje për revolucion dhe nisi një goditje të ashpër ndaj organizatave të shoqërisë civile me fonde nga jashtë, ndërsa turmat e orkestruara sulmuan protestuesit.

“Do të parandalojmë çdo përpjekje për të na çuar në konflikt qytetar dhe në rrezikim të sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Do t’u themi edhe atyre jashtë, që kanë organizuar gjithçka, se nuk kanë pasur sukses dhe nuk do të kenë kurrë”, tha Vuçiq pas një proteste të dhunshme në gusht.

Në vitin 1998, autokrati jugosllav, Sllobodan Millosheviq, e emëroi Vuçiqin ministër të Informimit. Në këtë rol, ai zbatonte disa nga ligjet më kufizuese në Evropë kundër lirisë së shprehjes.

Gati tri dekada më vonë, Vuçiq kontrollon gjithçka në Serbi – nga mediat te gjyqësori, nga marrëveshjet për infrastrukturë deri tek ato për armatim – dhe qëllimi i tij është t’i heshtë protestuesit me çdo mjet, thotë Maja Bjellosh, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

“Njerëzit e dinë se çdo dalje në rrugë mund të rezutojë me dhunë brutale nga policia, por, megjithatë, dalin dhe i kundërvihen regjimit dhe policisë. Ata ndiejnë se lufta e tyre për një shoqëri më të mirë është legjitime”, thotë Bjellosh për Exposenë.

Stradner tërheq një paralele të fortë midis situatës aktuale në Ballkan dhe kaosit të viteve 1990 që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

“Është tronditëse që në vitin 2025 flasim për një tjetër regjim autoritar – pothuajse 25 vjet pas rënies së regjimit të Millosheviqit. Serbia nuk ka përjetuar protesta të tilla që nga rënia e regjimit të Millosheviqit… Edhe ajo që po ndodh në Mal të Zi me polarizimin etno-nacionalist, në Kosovë me përshkallëzimet e mundshme, në Bosnje e Hercegovinë me lëvizjet e mundshme separatiste, më bën të kuptoj se një rikthim i viteve ’90, fatkeqësisht, mund të jetë në horizont”, thekson Stradner.

Ajo thotë se nuk parashikon një luftë si në vitet ’90, por paralajmëron se përmes formave moderne të luftës hibride, mund të arrihen qëllime destabilizuese.

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, pajtohet, por po ashtu vëren se një aspekt është ndryshe nga të ’90-tat. Atëherë thotë se Shtetet e Bashkuara ishin shumë të fuqishme dhe se Rusia bashkëpunonte me to, ndërsa sot – përballë luftës në Ukrainë, konfliktit në Gazë, rrezikut në rritje nga Kina – janë shumë më pak të angazhuara në Ballkan.

“Kjo për disa mund të jetë lajm i mirë, se fuqitë e mëdha nuk janë më aq dominuese dhe rajoni mund të veprojë më shumë vetë. Por, lajmi i keq është se, duke vepruar vetë, rajoni mban përgjegjësi të plotë për të ardhmen e tij dhe nuk mund të mbështetet më në ndërhyrjet nga jashtë”, thotë Kanin për Exposenë.

Por, lajmi i keq nuk përfundon këtu, thonë analistët, sepse Rusia, duke shfrytëzuar dobësitë e rajonit dhe mungesën e angazhimit të Perëndimit, ndërhyn me strategji të sofistikuara politike dhe ekonomike për të zgjeruar ndikimin e saj. Nga mbështetja e udhëheqësve serbë e proserbë, deri te përdorimi i energjisë dhe investimeve strategjike si instrument presioni, Moskës i mjafton të krijojë destabilizim gradual pa përdorur ushtarë e tanke, thotë Stradner.

Ajo kujton se, vetëm këtë vit, Vuçiq ka takuar dy herë presidentin rus, Vladimir Putin, e ngjashëm edhe Dodik, i cili ka thënë se, gjatë tetorit, pritet ta takojë sërish atë.

“Putin po kërkon mundësi të reja për të sfiduar Perëndimin dhe për të krijuar kaos në atë pjesë të botës. Kështu, ai do të mund të paraqitej si një ndërmjetës, dhe pastaj ta shantazhonte Perëndimin duke i thënë: nëse nuk doni që situata të dalë jashtë kontrollit, do të duhet të negocioni me mua”, thotë Stradner.

Në një anketë të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan vitin e kaluar, 43% e respondentëve në Serbi e kanë bërë përgjegjës Perëndimin për “konfliktin ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës” dhe vetëm 6% e kanë bërë Rusinë.

Për krahasim, 73% e të anketuarve në Kosovë e kanë bërë përgjegjëse Rusinë dhe vetëm 8% Perëndimin.

Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadorit në NATO, Matthew Whitaker, e kanë bërë të qartë se duan stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha ai.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte në rast të konfliktit të armatosur, sidomos në Bosnje e Hercegovinë apo Serbi, Whitaker u përgjigj se aleanca vepron me unanimitet, duke shtuar se “jemi larg një skenari të tillë”.

E, për ta mbajtur larg këtë kërcënim, Kanin thotë se Perëndimi – sidomos Bashkimi Evropian – duhet ta mbajë rajonin në fokus dhe t’i zbatojë premtimet e dhëna.

“Ai është i përçarë, tepër burokratik dhe i ngadalshëm në veprim, ndërsa politika e tij e zgjerimit ka humbur besueshmërinë për vendet e Ballkanit që nuk janë ende pjesë. Është e rëndësishme për BE-në që ta anëtarësojë Malin e Zi deri më 2030. Nëse ky afat shtyhet dhe asnjë vend tjetër nuk pranohet, atëherë reputacioni i BE-së – aq sa ka mbetur – do të shkatërrohet”, thotë Kanin.

Në Serbi, për shembull, Bashkimi Evropian ka leva të forta, pasi mbi 60% e investimeve të huaja vijnë prej tij. BE-ja ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët në këtë vend, por frika se Beogradi mund të afrohet më shumë me Rusinë, duket se e ka bërë që t’i zbusë kritikat ndaj Vuçiqit, i cili këtë javë ka paralajmëruar marrëveshje të reja gazi me Moskën.

Stradner thotë se tani është koha për shkopinj dhe jo karrota.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, ajo thotë se Perëndimi ka besuar se ekonomitë e forta dhe tregjet e hapura do t’i parandalonin luftërat e reja në rajon, porse kjo qasje ka dështuar.

Sipas saj, Serbia është bërë vend kandidat për në BE, por orientimi i saj ideologjik ka mbetur i lidhur me Rusinë dhe Kinën.

Ndaj, BE-ja duhet të flasë gjuhën e sanksioneve me këdo që kërcënon stabilitetin rajonal, thotë Stradner.

“Vuçiq ka frikë nga sanksionet perëndimore dhe gjithashtu ka frikë nga mungesa e parave perëndimore, sepse ato janë arsyeja e vetme që ai është në të ashtuquajturën trajektore drejt BE-së”, shton ajo.

Për Bjelloshin në Beograd, Vuçiq duhet të largohet.

“Është çështje kohe se kur do të ndodhë kjo. Ajo që ka krijuar ai, kjo gjendje jonormale në të cilën ne jetojmë, nuk është më as e pranueshme, as e durueshme për një numër të konsiderueshëm qytetarësh”, thotë ajo.

Me fjalët e profesorit Kanin, ideja e rikthimit të qetësisë në Ballkan është mashtruese, sepse pasiguria është normë në këtë rajon prej shekujsh. Zgjidhja, thotë ai, nuk qëndron te stabiliteti i palëkundur, por tek ecja përpara drejt diçkaje më të mirë. Largimi i Dodikut nga pushteti dhe organizimi i zgjedhjeve të lira mund të jenë një hap modest përpara – gjithnjë nëse rajoni mbetet nën ombrellën e Perëndimit, përfundon njohësi i Ballkanit. /REL

Të ngjashme

Të fundit