Home Lajme Botë Stoltenbergut i vazhdohet mandati i sekretarit të NATO-s deri më 1 tetor 2024

Stoltenbergut i vazhdohet mandati i sekretarit të NATO-s deri më 1 tetor 2024

0
Stoltenbergut i vazhdohet mandati i sekretarit të NATO-s deri më 1 tetor 2024

NATO-ja vendosi të martën që t’i zgjasë kontratën sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, edhe për një vit, duke zgjedhur që ta vazhdojë rrugën me udhëheqësin me përvojë në periudhën e luftës në Ukrainë në vend të përzgjedhjes së një pasardhësi të tij.

Ish-kryeministër i Norvegjisë, Stoltenbergu e ka mbajtur postin e sekretarit të aleancës që nga viti 2014 dhe mandati tashmë i është zgjatur tri herë, raporton agjencia “Reuters”.

Politikani 64-vjeçar shihet gjerësisht brenda aleancës si udhëheqës i qëndrueshëm dhe ndërtues i durueshëm i konsensusit.

Përmes një shkrimi në “Twitter”, ai tha se është i nderuar nga vendimi për t’ia zgjatur mandatin deri më 1 tetor 2024.

“Lidhja transatlantike mes Evropës dhe Amerikës Veriore i ka garantuar lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet dhe, në një botë më të rrezikshme, Aleanca jonë është më e rëndësishme se kurrë më parë”– shkroi ai.

Diplomatët dhe analistët i japin nota të lartaStoltenbergut që e ka mbajtur NATO-n të bashkuar për Ukrainën, duke vendosur një baraspeshë mes atyre që kërkojnë përkrahje maksimale ushtarake për Kievin dhe atyre që bëjnë thirrje për më shumë kujdes nga frika për nxitje të një konflikti global.

“Shtetet anëtare të NATO-s kanë vendosur në mënyrë mjaft logjike që sekretari i përgjithshëm më i mirë tash për tash në treg është ai që tashmë e kanë. Përvoja çon peshë sidomos në njërën prej kohërave më testuese në historinë e NATO-s”– tha Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i aleancës, tani pjesë e organizatës “Chatham House”.

Detyrat e ardhshme të tij e përfshijnë mbikëqyrjen e një transformimi të forcave të NATO-s në mbrojtjen kundër ndonjë sulmi rus, pas disa dekadave të përqendrimit të aleancës në misione përtej kufijve të saj, si Afganistani dhe Ballkani.

Exit mobile version