26 C
New York
Thursday, June 12, 2025

Buy now

Stërvitja nuk mjafton gjithmonë: Pse disa nuk fitojnë muskuj, pavarësisht përpjekjeve

- Advertisement -

Gjenet, hormonet dhe muskujt: Çfarë i pengon disa njerëz?

Jo të gjithë ndjekin të njëjtën rrugë drejt një trupi muskulor. Edhe pse ushtrimet me pesha janë thelbësore, ndërtimi i masës muskulore nuk është gjithmonë i lehtë, sidomos ndërsa plakemi.

Rritja e muskujve ndodh kur qelizat muskulore prodhojnë (sintetizojnë) proteina të reja më shpejt sesa shpërbëhen ato të vjetrat. Ky proces stimulohet nga tensioni që krijohet gjatë stërvitjes me rezistencë, si ngritja e peshave.

Edhe dëmtimet mikroskopike të muskujve gjatë ushtrimeve, të cilat shpesh shoqërohen me dhimbje ose inflamacion, mund të shërbejnë si sinjal për rritje.

Por nëse jeni fillestar në stërvitje ose nëse e teproni me intensitetin, trupit i duhet të përdorë shumicën e proteinave për të riparuar dëmtimet dhe për të ulur inflamacionin dhe jo domosdoshmërisht për ndërtimin e muskujve të rinj, transmeton Telegrafi.

Gjenetika luan rol vendimtar

Nëse stërviteni rregullisht dhe ushqeheni siç duhet, por rezultatet janë të pakta, përgjigjja mund të qëndrojë në gjenet. Struktura gjenetike ndikon në përbërjen e fibrave të muskujve, konkretisht në raportin mes fibrave të ngadalta dhe të shpejta, të cilat janë të përshtatura për tipe të ndryshme aktivitetesh fizike. Ky raport përcaktohet kryesisht nga gjenet, megjithëse mund të ndikojë disi nga stili i jetës dhe stërvitja.

Një tjetër faktor i lidhur me gjenetikën janë ribozomet – “makineritë” molekulare që prodhojnë proteina. Numri dhe tipi i tyre ndryshon nga një individ te tjetri dhe mund të ndikojë ndjeshëm në ritmin e sintezës së proteinave.

Roli i gjinisë dhe hormoneve

Diferencat gjinore kanë gjithashtu ndikim në ndërtimin e muskujve. Testosteroni, hormoni kryesor mashkullor, luan një rol të rëndësishëm në stimulimin e sintezës së proteinave dhe aktivizimin e qelizave që kontribuojnë në rritjen e muskujve. Nivelet më të larta të testosteronit gjatë pubertetit shpjegojnë pse meshkujt zakonisht kanë më shumë masë muskulore se femrat.

Megjithatë, studimet tregojnë se kur gratë dhe burrat i nënshtrohen të njëjtit program stërvitjeje, përparimi në përmasa është i ngjashëm. Kjo ndodh sepse rritja e përkohshme e testosteronit gjatë stërvitjes nuk ndikon aq shumë sa mendohet në rritjen e masës muskulore.

Të ngjashme

Të fundit