Anëtari i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7 se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe qeveria nuk po ndërhyjnë në gjendjen që është me çmime të produkteve në Kosovë.
Ai ka kritikuar Kurtin dhe ia ka përmendur deklaratat e tij në opozitë duke ia krahasuar ato me të tanishmet. Stavileci përmend çmimin e rrymës, që sipas tij është rritur jashtëligjshëm dhe kërkon llogari nga qeveria. Ai shton se gjatë muajve të fundit Kosova nuk ka importuar rrymë dhe nuk ka pasur arsye që barra të bie mbi qytetarin me shtrenjtim të rrymës.
Ai ia përmend deklaratën sa ishte Kurti në opozitë ku thoshte se çmimi i rrymës duhet të ulet.
“’Nuk e kishim ditë sa lirë e kemi paguar’. Kështu tha ai. Gjithmonë thoshte se e paguajmë shtrenjtë dhe kemi punuar keq që 20 vjet. Tash nëse është që nuk e kemi ditur sa paguajmë, i bie që nuk kemi punuar keq”, tha Stavileci.
“Kemi bërë një analizë të shportës që paguan një qytetar me normat e tanishme të inflacionit. I bie që qytetari paguan 118 euro më shumë për një shportë me nevoja esenciale. Tani e kujtojmë një deklaratë të tij më 2009. Ai kishte nënvlerësuar ngritjen e rrogave nga qeveria atëherë duke thënë se qytetari nuk është pasuruar. Por kjo nuk qëndronte. Tani kemi një qytetar që paguan 118 euro më shumë për një shportë dhe kemi një qeveri që nuk po merr fare masa e nuk po ndërhyn”, shtoi ai.