Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka ftuar qytetarët që sonte, në orën 16:30, të bashkohen në tubimin përmbyllës në sheshin Zahir Pajaziti, ku do të përmbyllet zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sonte është momenti të dëshmojmë se vullneti qytetar është i pathyeshëm. Le të jehojë besimi, shpresa dhe vendosmëria për një Kosovë më të mirë!”, ka deklaruar Stavileci.
Ai ka theksuar se nesër vendi pret një proces zgjedhor demokratik dhe transparent, duke u shprehur i bindur se qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur për një të ardhme më të mirë.
“Pas 9 shkurtit, Bedri Hamza do të marrë drejtimin e qeverisë, do ta rikthejë ritmin e zhvillimit, do të sjellë stabilitet dhe do të fillojë ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë”, ka shtuar ai.
Stavileci ka theksuar se zgjedhjet e nesërme janë më shumë se një garë politike, por një vendim për të ardhmen e Kosovës.
“E kujt mund t’ia besojmë këtë mision më shumë sesa një njeriu të dëshmuar, që e mban fjalën, që i realizon premtimet, që është i ndershëm dhe profesionist? Bedri Hamza qëndron për një të ardhme të sigurt për çdo qytetar të Kosovës”, ka përfunduar ai.