![Stavileci, PDK: Nëse nuk keni votuar ende, bëjeni tani, mos e lini për më vonë Stavileci, PDK: Nëse nuk keni votuar ende, bëjeni tani, mos e lini për më vonë](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2025/02/1-scaled.jpg)
– Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka inkurajuar qytetarët që nuk kanë votuar ende ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre.
Stavileci, në një konferencë për media, ka thënë se vota e secilit është forca e shpresës dhe garancia për një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të drejtë.
“Secila votë është një hap përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur, drejt një shteti që kujdeset për qytetarët, për rininë, për ekonominë dhe për mirëqenien e secilit prej nesh. Ka mbetur edhe pak kohë, andaj, nëse nuk keni votuar ende, bëjeni tani! Mos e lini për më vonë, mos e lini për dikë tjetër – sot është dita kur secili prej nesh ka fuqinë të vendosë për drejtimin e Kosovës në vitet që vijnë. Dilni, votoni dhe bëhuni pjesë e festës! Një Kosovë më e zhvilluar është e mundshme dhe ajo po fillon sot, me votën tuaj!”, ka thënë ai.
“Sot, po shkruajmë një kapitull të ri për vendin tonë – një kapitull të progresit, të mundësive dhe të zhvillimit!”, ka shtuar ai.
Stavileci ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë votuar deri më tani, duke theksuar se ata janë duke jetësuar vizionin për të ardhmen e Kosovës!
“Kosova po tregon sot fuqinë e saj demokratike. Procesi zgjedhor po zhvillohet me pjesëmarrje të mirë dhe me një frymë të jashtëzakonshme optimizmi dhe shprese për të ardhmen. Deri në orën 15:00, qytetarët tanë po tregojnë përkushtim dhe përgjegjësi, duke dëshmuar se e ardhmja e vendit është në duart e tyre! Faleminderit secilit prej jush që tashmë keni votuar”, ka thënë ai.