Stavileci në një konferencë për media, ka vlerësuar se ky është një sukses i pamohueshëm për PDK-në dhe një mesazh i fortë për të ardhmen e vendit.
“Sonte jemi në një situatë të pazakontë, kur ne, si parti politike, duhet të ju tregojmë ju dhe qytetarëve për votën tonë, dhe jo KQZ, siç do të duhej të ishte. Megjithatë, tash jemi para jush për të ndarë një mesazh të qartë: Partia Demokratike e Kosovës ka arritur një rezultat të madh. PDK është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend, me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën. Falënderojmë nga zemra secilin qytetar që besoi dhe votoi për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza”, tha ai.
Stavileci tha se angazhimi për një Kosovë ma të mirë tashmë ka filluar, sepse rezultati zgjedhor tregon se qytetarët duan një qeveri të re.
“Ajo që kemi parë në këtë proces është e qartë: shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie. Rezultati tregon se ata kërkojnë një qeveri të re, një qeveri tjetër. Qytetarët tanë, me votën e tyre, treguan se besojnë që Kosova mundet ma mirë. Tash po hyjmë në një fazë të re. Ditët në vijim, me finalizimin e rezultateve zyrtare, kryetari ynë Memli Krasniqi dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, do të dalin me qëndrimin e tyre mbi hapat e ardhshëm. Ne jemi të lumtur me këtë rezultat dhe të motivuar për të çuar përpara besimin që na keni dhënë. Procesi zgjedhor ka treguar edhe një herë se Kosova mundet dhe duhet të bëjë më mirë – qoftë edhe në menaxhimin dhe numërimin e votave, qoftë në qeverisjen e vendit”, theksoi ai.