Qytetarët e Kosovës nga sot e tutje mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë. Vendimi i shtetit i cili ende nuk e njeh shtetësinë e Kosovës u bë i ditur sot nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Sipas logjikës së deputetes Jeta Statovci, njohja e pasaportave të Kosovës nga Spanja u shndërrua në realitet falë “punës” së konsulentit Gani Jakupit i cili merr pagë mujore plotë 7 mijë e 500 euro, kontrata stratosferike e të cilit ka nxitur reagim të madh në opinionin publik.
Që në fillim të vitit 2024, duke komentuar liberalizimin e vizave që hyri në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, Kurti i mori të gjitha meritat. Ndonëse kushtet e nevojshme për liberalizim ishin realizuar kohë më parë, kreu i ekzekutivit pretendoi se nuk e premtoi liberalizimin e vizave, por “e realizoi një gjë të tillë.” “Nuk e premtuam, por e realizuam. Liberalizimi i vizave u jetësua sot.” – tha Kurti.
Një postim të ngjashëm me atë të Kurtit me lehtësi mund ta bëjë edhe ‘superkonsulenti’ i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gani Jakupi, nëse do të vepronte paralelisht me logjikën hiper-reale të deputetes Statovci, e cila meritat për vendimin e Spanjës ia atribuoi Gani Jakupit.
“Dikur projekte lobuese milionëshe për ndarjen e Kosovës, sot projekte lobuese për bashkim të Kosovës së pa ndarë me perëndimin. Opozita që dikur paguante për projektin e ndarjes së Kosovës u ngrit në këmbë për pagesën ndaj Gani Jakupit që lobon e ndihmon Republikën në Spanjë. Por, sot pas këtij lajmi a thua çfarë do të thonë. Pra, qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit.” – shkroi Statovci.
Por, pavarësisht lavdeve të deputetes, konsulenti i MPJD-së nuk mori ndonjë meritë lidhur me vendimin. Në reagimin e tij në Facebook, ai ka shkruar se “duket që Spanja i ka thërritur mendjes”.
Postimi i deputetes Statovci u përcoll me reagime të shumta. Analisti Imer Mushkolaj reagoi duke thënë se “këta të pushtetit nuk janë mirë”.
Ai i kujtoi Statovcit se Gani Jakupi në kontratën e majme të “lobimit”, nuk e ka të përfshirë Spanjën.
“Dmth. këta t’pushtetit nuk janë mirë. Janë aq banalë, sa që për njohjen e pasaportave kosovare nga Spanja, meritat ia japin Gani Jakupit. Ndërkohë që ai, në kontratën e majme të “lobimit”, nuk e ka të përfshirë hiç Spanjën. Nejse, diqysh duhet me ia arsyetu tipit 7500 euro në muaj.” – ka shkruar Mushkolaj.
Reagim ndaj pohimeve të saj pati edhe nga gazetari dhe analisti, Lirim Mehmetaj, i cili tha se deputetja Statovci “përbën rast klinik.”
Ndërsa sipas gazetares dhe analistes Dafina Demaku, ndikimi i konsulentit Jakupi në vendimin e Spanjës mund të ndodhë vetëm nëse ai mban edhe postin e agjentit të CIA-s, duke ia rikujtuar deputetes se në kontratën e tij për lobim, Spanja nuk është e përfshirë.
“Gani Jakupi paguhet për Pariz oj motër sipas kontratës, veç nëse është edhe agjent i CIA-s në Spanjë.” – tha Demaku ndër të tjera.