Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano iu përgjigj sot kërkesës së Aleksandër Vuçiqit për dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha sot se në këtë moment BE-ja nuk mund të shpallë një rund të ri të dialogut të nivelit të lartë mes këtyre dy shteteve.
“Nuk kemi asgjë në bazë të së cilës mund ta shpallim një dialog të mundshëm të nivelit të lartë”, tha ai duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se pret ftesë për një takim në Bruksel këto ditë dhe se shpreson në një zgjidhje, sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila e heq përdorimin e dinarit në vend.
Stano i tha agjencisë serbe të lajmeve, Beta se nuk mund të flasë për atë që Vuçiq ka në mendje. Ai deklaroi se “nuk ka asgjë më shumë për të deklaruar përveç asaj që ka prezantuar Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin në Mynih”.
Borrell përmes një mesazhi përmes platformës “X” tha se “stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihen vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe rruga për këtë është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.