8.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Stano: BE nuk merr pjesë në hedhjen e fajit mes Serbisë dhe Kosovës, palët t’i përmbushin obligimet

- Advertisement -

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se hedhja e fajit tek njëri – tjetri ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në dialog është shumë kundërproduktiv dhe në vend të kësaj të dyja palët duhet të shikojnë se çfarë nuk kanë përmbushur nga ajo që janë marrë vesh dhe të punojnë për të realizuar obligimet.

Ai ka përsëritur se pa progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, as Serbia e as Kosova nuk mund të avancojnë drejt Bashkimit Evropian.

Në raundin e fundit të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel, nuk ka pasur takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe sipas BE-së, Josep Borrell, Kosova nuk ishte e gatshme për këtë takim. Ndërsa, Vuçiq ka thënë se Kurti ka kërkuar që “Serbia ta njohë Kosovën”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për Zërin e Amerikës, se Serbia nuk po e zbaton pjesën e saj të marrëveshjes duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës dhe se Prishtina po kërkon garanci ndërkombëtare për të përmbushur detyrimet e saj, Stano thotë se “BE-ja është ndërmjetëse dhe nuk merret me njohjen e pavarësisë”.

Stano tha për Zërin e Amerikës se të dyja palët kanë obligime dhe se në mars të vitit 2023 janë marrë vesh në Ohër se si t’i zbatojnë ato, por kjo nuk po ndodh.

“Ne nuk marrim pjesë në hedhjen e fajit, kjo është shumë kontradiktore dhe kundërproduktive. Njëra palë fajëson vazhdimisht tjetrën dhe anasjelltas. Të gjithë duhet të shohin se cila është detyra e tyre dhe ta përmbushin atë. Të dyja palët kanë shumë për të përmbushur”, thotë zëdhënësi i BE-së.

“Për shembull, për Kosovën është prioritet urgjent themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është obligim i ndërmarrë nga Kosova shumë kohë më parë që nuk po e përmbush përkundër thirrjeve të BE-së, partnerëve amerikanë dhe të tjerëve. Edhe Serbia duhet të fillojë në përmbushjen e detyrimeve të saj, palët serbe ende ka deficite kur bëhet fjalë për çështjet që dalin nga marrëveshja. Çështja është se të dyja palët, në vend që të fajësojnë njëra-tjetrën dhe të hapin çështje të reja, duhet të përqendrohen në zbatimin e asaj që kanë rënë dakord në Ohër në mars të vitit 2023”, thotë Stano.

Meqenëse dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në Bruksel ka ngecur për një kohë të gjatë, pyetja është se si të shkohet përpara nëse asnjëra palë nuk do të përmbushë atë që kërkon tjetra – njohjen e pavarësisë apo formimin e Asociacionit.

Stano përkujton se të dyja palët kanë rënë dakord që integrimi i tyre evropian të lidhet me dialogun.

“Serbia dhe Kosova e kanë shpallur integrimin evropian si prioritet strategjik. Ata gjithashtu u obliguan për lidhjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me përparimin në rrugën e pranimit në BE. Nëse nuk ka përparim në dialog, nuk ka përparim në anëtarësimin në BE, është shumë e thjeshtë. Ne jemi ndërmjetës dhe i ndihmojmë ata të arrijnë një konsensus, por në fund, të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje, të arrijnë një kompromis, të normalizojnë marrëdhëniet, sepse vetëm kështu do të mund të ecin përpara dhe të afrohen me BE-në”, përfundoi zëdhënësi i BE-së.

Në mars të vitit 2023, Serbia dhe Kosova arritën Marrëveshjen e Ohrit, e cila përcakton zbatimin e marrëveshjes bazë – propozimin evropian – për normalizimin e marrëdhënieve. Obligimet nga ato dokumente nuk janë zbatuar, si dhe obligimi i Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ishte përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013.

Ndërkohë, tensionet në terren po përshkallëzohen dhe kulmuan me një sulm të armatosur nga serbët ndaj policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku u vranë katër persona [një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre serbë nga grupi terrorist]. Organizatorët e atij sulmi nuk u sollën para drejtësisë, kurse përgjegjësinë për sulmin e mori biznesmeni serb Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, parti politike e serbëve të Kosovës e afërt me Beogradin zyrtar.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit