Bashkimi Evropian fundamentalisht kundërshton glorifikimin e kriminelëve dhe terroristëve si dhe vajtimin e tyre, ka porositur Peter Stano, zëdhënësi i BE-së lidhur me shpalljen e ditës të zisë në Serbi për sulmuesit e vrarë më 24 shtator.
Në një përgjigje të dërguar me shkrim, Stano konfirmoi se të hënën kur ishte ditë zie në Kosovë, Zyra e BE-së në Prishtinë ka vendosur flamurin e BE-së në gjysmështizë, për të nderuar policët e vrarë dhe të plagosur të Kosovës, viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist të së dielës.
Këtë gjë, sipas tij, nuk e ka bërë delegacioni i BE-së në Beograd në ditën kur ishte shpallur ditë zie në Serbi.
“Sulmuesit nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat”, nënvizoi Peter Stano.
Zëdhënësi i BE-së përsëriti thirrjen për domosdoshmërinë e hetimit të plotë të sulmit terrorist dhe të sillen para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë ngjarje.
Nuk duhet të hetohet vetëm ky sulm terrorist, por edhe, sipas tij, duhet të vendoset drejtësia për të gjithë ata që e planifikuan, që e ekzekutuan dhe që qëndruan prapa këtij sulmi.
“Ajo që ndodhi të dielën ishte shumë e rëndë dhe duhet sqaruar sepse do të ketë pasoja”, porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano./Rtk/