Avokati i njohur kosovar Faton Fetahu i cili njihet për lëndët e shumta të fituara në Gjykatë Kushtetuese ndaj institucioneve, sot ka fituar edhe një betejë ligjore që prekë privatësinë e secilit qytetarë.
“Sot e pranuam vendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin shënohet një kthesë vendimtare në mbrojtjen e të drejtës kushtetuese në privatësi”, ka njoftuar Fetahu.
Sipas tij, ky vendim është historik në kuptimin e plotë të fjalës. “Të tillë nuk e kualifikojmë rastësisht apo vetëm pse është aprovuar kërkesa jonë si avokatë mbrojtës, por për faktin se përmes tij është vendosur një standard i ri, i paparë deri më tani, me të cilin i jepet fund praktikës së gabuar dhe tepër të dëmshme prej më shumë se dy dekadash të prokurorëve të shtetit, të cilët urdhëronin hapjen dhe ekzaminimin e telefonave të personave apo subjekteve të procedurës penale pa leje apo urdhër të gjykatës, në kundërshtim me nenin 36 (3) të Kushtetutës. Një normë e shkruar qartë në Kushtetutë, nga sot (fatkeqësisht vetëm pas 17 vitesh nga miratimi i saj) merr jetë në kuptimin mbi thelbin e saj. E Drejta e Privatësisë, duke qenë njëra prej të drejtave themelore të njeriut, është e pacenueshme dhe mund të kufizohet përkohësisht, dhe atë vetëm me vendim gjyqësor”, tha Fetahu.
Ai ka shprehur respekt dhe mirënjohje për guximin profesional dhe institucional të trupit gjykues në përbërje të z. Lutfi Shala, kryetar, dhe z. Vesel Ismaili e Rrahman Beqiri, anëtarë, të cilët të drejtën kushtetuese në privatësi e kthyen në mburojë konkrete për qytetarët e Kosovës, duke e bërë të qartë se fshehtësia e komunikimeve, bisedave, mesazheve dhe të dhënave personale është e drejtë e pacenueshme dhe se kufizimi i tyre mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe në proporcionalitet me qëllimin dhe objektin që synon të arrijë hetimi.
“Ky vendim prek secilin prej nesh, sepse nga sot telefoni i çdo qytetari është i mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare. Siguria juridike rritet, shteti i së drejtës forcohet dhe qytetarët marrin garanci reale se privatësia e tyre nuk mund të shkelet sipas dëshirës së një prokurori, i cili në mënyrë kundërkushtetuese jo vetëm ka shkelur të drejtën e privatësisë së personit që ka hetuar, duke i zbuluar të dhëna dhe prova të papranueshme, duke ndërtuar aktakuza mbi bazën e tyre, por mbi të gjitha, ka ushtruar një kompetencë të gjykatës – një tagër që Kushtetuta ia ka njohur vetëm gjykatës dhe jo institucionit të prokurorit”, tha Fetahu.
Sipas tij, tani është koha që i gjithë sistemi prokurorial të reflektojë dhe të ndërpresë përfundimisht praktikat ku telefonat janë hapur pa vendim gjykate. “Vlen të thuhet hapur se dhjetëra, në mos qindra, aktakuza ndër vite janë ndërtuar mbi prova të papranueshme, të nxjerra nga ekzaminime të paautorizuara, e aq më keq, si rezultat i tyre njerëzit janë dënuar dhe kanë përfunduar në burgje. Tani, ky standard i ri detyron sistemin të kthehet në binarët e kushtetutshmërisë”, tha Fetahu.






