Sindikata e Pavarur e RTK-së me anë të një komunikate ka njoftuar se Inspektoriati i Punës e ka dënuar së fundmi RTK-në me 2 mië euro në lidhje me paligjshmëritë gjatë një konkursi që sipas Sindikatës, fajtor është drejtori general Shkumbin Ahmetxhekaj.
Sipas kësaj sindikate veç brenda tri javëve, RTK u dënua me 4 mijë euro gjobë, nga Inspektoriati i Punës.
Njoftimi i plotë:
Paligjshmëritë në RTK nuk kanë të ndalur, gjoba e radhës nga Inspektorati i Punës-2000 EURO. Brenda tri jave, 4 mijë EURO ndëshkime ndaj RTK-së.
Inspektorati i Punës ka shqiptuar sot ndaj RTK-së masën ndëshkimore në vlerë prej 2 mijë euro.
Kjo është gjoba e dytë brenda pak ditëve që RTK merr nga Inspektorati i Punës.
Në muajin qershor RTK është gjobitur në vlerën prej 2 mijë euro nga IP për suspendimin e paligjshëm të kolegut, Jeton Bajgora nga puna. Përgjegjës për këtë veprim Inspektorati e ka bërë drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Edhe në vendimin e sotëm të IP-së përgjegjës për anulim të paligjshëm të konkursit, fitues i të cilit kishte dalur i punësuari Jeton Bajgora, Inspektorati e bën drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Në vendimin 01 Nr 25-120/2024 të Inspektoratit të Punës thuhet se drejtori i përgjithshëm në marrjen e vendimit të datës 18.04.2024 me të cilin e anulon konkursin për vendin e punës “Udhëheqës i TV Produksionit’’ ka vepruar në kundërshtim me nenin 6 paragrafin 5 pika 5.1 dhe 5.2 të udhëzimit administrative 07/2017 për proceduarat e konkursit në sektorin Publik.
Sindikata e Pavarur e RTK-së kishte alarmuar me kohë për dy proceset e paligjshme, të montuara kundër kolegut Jeton Bajgora, të cilat i konfirmoi edhe Inspektorati i Punës, duke shqiptuar gjobë në vlerë prej 4 mijë euro.