Pas raportimit për lëndimin e minatorëve të Stan Tërgut, Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës përmes një komunikate për media ka informuar për gjendjen e të lënduarve.
12 është numri i të lënduarve nga rrjedhja kimike e acidit sulfurik.
“Prej tyre, 2 kanë pasur lëndime serioze të syve (djegie kimike me acid sulfurik), të cilët pas trajtimit në Repartin e Emergjencës janë transferuar ne repartin e Oftalmologjisë së Spitalit të Mitrovicës për trajtim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.
Në këtë njoftim thuhet se 10 prej të lënduarve janë duke u trajtuar në repartin e Emergjencës, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë dhe pas trajtimeve pritet të lëshohen në shtëpi.