-0.8 C
New York
Wednesday, February 25, 2026

Buy now

Spiropali: Lufta e Kosovës nuk ishte një luftë për pushtet, ishte një luftë për mbijetesë

- Advertisement -

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shqipërisë Elisa Spiropali, tha se drejtësia në procesin gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së nuk mund të ecë me standarde të dyfishta dhe se nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik, raporton EO.

“Proceset në dhomat e specializuara janë një moment i rëndësishëm. Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo lexim kolektiv. Drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta. Nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik. Lufta e Kosovës nuk ishte një luftë për pushtet. Ishte një luftë për mbijetesë dhe për liri pas një periudhe të gjatë represioni dhe terrori sistematik ndaj popullsisë civile. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe koalicioni i NATO-s ndërhynë në Kosovë për të shmangur një katastrofë të re humanitare me përmasa përtej”, tha ajo.

Spiropali theksoi se ish-krerët e UÇK-së janë figura që përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Ata janë figura që përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor, por kemi detyrimim moral dhe historik të themi qartë se drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut dhe jo drejtësi e pjesshme. Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare të një populli të tërë. Nuk mund të injoroj faktin se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrime etnike dhe krime masive ndaj popullsisë civile”, tha ajo.

Të ngjashme

Të fundit