Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca e ka mirëpritur homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropalin.
Që të dy kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe kullën e kësaj familjeje, ku u pritën prej Rifat e Lulzim Jasharit.
Kjo kullë, sipas Spiropalit, është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe ai çmim është paguar me jetë.
“Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon që të jemi të denjë”, shkroi Spiropali.
Postimi i Spiropalit:
Prekaz- Ka vende ku fjalët bëhen të vogla.
Sot, bashkë me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, u përulëm në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti.
Në Prekaz nuk përkujtohet vetëm një betejë.
Përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar.
Kulla e Jasharajve, ku u pritëm prej Bacë Rifat Jasharit, nuk është thjesht monument.
Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë.
Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes.
Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë.
Prekazi nuk na kërkon lot.
Na kërkon të jemi të denjë.






