Sindikata e Punëtoreve e RTK-së, kërkon sqarim nga Ministria e Financave e Kosovës, se pse RTK nuk është e përfshire në listën e ndihmës së pakos financiare kundër inflacionit të miratuar nga Qeveria e Kosovës.
“I rikujtomë Qeverisë se edhe punëtorët e RTK-së, janë të prekur nga inflacioni, edhe punëtorët e RTK-së janë kontribues në buxhetin e shtetit të Kosovës, andaj edhe punëtoreve të RTK-së i takojnë 100 euro nga shteti”, thuhet në reagim, transmeton Scanner.
Sindikata javën e kaluar i ka bërë një kërkesë zyrtarëve të Ministrisë së Financave, por nuk ka marr përgjigje.
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, kërkon nga Qeveria dhe Komisioni i krijuar për këtë çështje, që ta fusin edhe RTK-në në këtë listë, sepse mospërfshirja e RTK-së në këtë listë është diskriminim, dhe mund të trajtohet në të ardhmen nga institucionet e drejtësisë ky rast.