Augsburgu dhe Hoffenheim ndanë pikët në një barazim spektakolar 2-2 në “WWK Arena”, në një ndeshje ku të katër golat u shënuan në pjesën e parë plot ritëm dhe emocione.
Vendasit e nisën furishëm takimin, duke realizuar dy gola të shpejtë brenda 15 minutave të para. Në minutën e 11-të, Alexis Claude-Maurice depërtoi bukur nga mesi i fushës dhe pas një kombinimi të shpejtë shënoi me një goditje të fortë.
Vetëm tri minuta më vonë, Michael Gregoritsch dyfishoi epërsinë, pasi përfitoi nga një top i gjatë dhe realizoi pas një dueli fizik në zonë.
Hoffenheim u gjend në vështirësi dhe reagoi vonë, por arriti të rikthehet në lojë. Në minutën e 35-të, Robin Hranáč ngushtoi shifrat me një goditje me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Vetëm pak minuta më pas, sulmuesi kosovar Fisnik Asllani dhuroi një asist të bukur me thembër për Bazoumana Touré, i cili barazoi rezultatin në 2-2.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, por jo pa raste. Hoffenheim ishte pranë golit menjëherë pas rifillimit, ndërsa vendasit reaguan më vonë me disa tentativa të rrezikshme nga Claude-Maurice.
Në fundin e ndeshjes, Augsburgu pati një mundësi të artë për fitore, por Claude-Maurice gaboi nga penalltia, duke e dërguar topin mbi portë.
Deri në vërshëllimën përfundimtare pati edhe disa raste të tjera, përfshirë një pastrim vendimtar në vijën e portës nga lojtarët e Hoffenheimit, duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar.
Me këtë barazim, të dyja skuadrat vazhdojnë seritë negative: Hoffenheim mbetet pa fitore në katër ndeshje, ndërsa Augsburgu nuk njeh fitore në pesë takimet e fundit, duke mbetur në mesin e tabelës.






