8.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Specialja s’e përjashton mundësinë që Dick Marty të ftohet si dëshmitar

- Advertisement -

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, mund të ftohet si dëshmitar në Gjykatën Speciale e cila u themelua duke u bazuar pikërisht në raportin e përpiluar nga ai e ku pretendohej se UÇK-ja kishte kryer trafikim të organeve.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në një përgjigje për Klankosova.tv kanë thënë se Dick Marty mund të ftohet për të dhënë dëshminë, nëse konsiderohet se i kontribuon proceseve gjyqësore që po zhvillohen atje.

Në përgjigjen e tyre thuhet se ish-senatori zviceran Dick Marty, i cili bëri bujë me akuzat e tij të forta se po kërcënohet me jetë nga shërbimet inteligjente serbe dhe faji synohet t’i lihet Kosovës, mund të ftohet si nga prokuroria, ashtu edhe nga mbrojtja.

“Secila palë (prokuroria ose mbrojtja) mund të thërrasë dëshmitarë të tillë që mund të jenë të nevojshëm për çështjen e tyre. Paneli kompetent mund të vendosë për relevancën e një dëshmie të tillë. Sa i përket informacioneve në lidhje me dëshmitarët e Dhomave të Specializuara, ato janë publike dhe mund të gjenden në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Siç mund ta shihni në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, emri i Dick Martyt aktualisht nuk figuron atje”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës për Klankosova.tv.

Ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, në një intervistë krejt të rrallë për televizionin shtetëror të Zvicrës tha se që 16 muaj jeton në mbrojtje të rreptë sigurie nga shteti zviceran pas kërcënimeve për vrasje nga shërbimet inteligjente serbe.

Marty deklaroi se qarqe të caktuara të shërbimit serb të inteligjencës kishin planifikuar vrasjen e tij nga vrasës profesionistë me pagesë, që sipas tij kanë kryer edhe më herët punë të tilla për këtë shërbim, dhe kështu fajin për likuidimin e tij t’ia linin kosovarëve.

Agjencia e Inteligjencës në Serbi (BIA) ka mohuar ashpër deklarimet e Dick Martyt. Maqdje, kjo agjenci thotë se i ka dërguar letër Shërbimit Informativ Federal të Zvicrës ku kanë dënuar dhe mohuar “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt”.

Por, Qeveria e Zvicrës i ka përgënjeshtruar pretendimet e BIA-s serbe e cila tha se nuk janë në dijeni për rastin e kërcënimit me vdekje të ish-senatorit zviceran Dick Marty.

“Autoritetet zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe. Zyra Federale e Policisë ka nisur shkëmbimin e informacioneve me autoritetet policore”, thuhet në përgjigjen e qeverisë zviceranë dhënë për Klankosova.tv.

Pas deklarimeve të Dick Martyt ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani ka kontaktuar menjëherë me institucionet e sigurisë në Zvicër prej të cilave ka kërkuar informacione zyrtare.

“Sapo është bërë publik lajmi për ish-senatorin Dick Marty, Presidentja Osmani ka kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ka kërkuar nga to që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane për planin e agjencive serbe të inteligjencës për ta eliminuar ish-senatorin zviceran Dick Marty në mënyrë që pastaj t’ia lënë fajin personave nga Kosova”, ka thënë këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, për Klankosova.tv.

Dick Marty në vitin 2010 kishte përpiluar një raport të cilin e kishte prezantuar në Këshillin e Evropës, për të denoncuar siç kishte vlerësuar ai, krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit