23.3 C
New York
Tuesday, August 19, 2025

Buy now

Specialja rinis punën me konferencë përgatitore për ish-krerët e UÇK-së

- Advertisement -

Dhomat e Specializuara në Hagë të martën do ta rinisin punën, pas pushimit veror, me konferencën përgatitore të mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Sipas avokatëve, dëshmitarët e mbrojtjes, që pritet të jenë personalitete të shquara, do t`i përmbysin dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë. Ndërkohë, nga monitoruesit thuhet se procesi që është tej zgjatur, është shoqëruar me mos transparencë për publikun.

Të martën, Dhomat e Specializuara të Hagës do ta rifillojnë punën pas pushimit veror. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalin para trupit gjykues në konferencën përgatitore të mbrojtjes.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe pesë javë deri në vazhdimin e gjykimit, ku më 15 shtator pritet të fillojë dëshminë, dëshmitari  i parë i mbrojtjes.

Pritshmëri të mëdha për dëshmitarët ka avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Skënder Musa, sipas të cilit, do të ndryshojë e tërë rrjedha e gjykimit.

“Këta dëshmitarë natyrisht që pres që kanë me i shkatërrua të gjitha pretendimet, të gjitha provat e falsifikuara nga Serbia dhe të gjithë dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e Serbisë që kanë rrejshëm në Tribunalin, në gjykatën e Hagës, pra në gjykatën Speciale për shkak se nuk mund të krahasohet një diplomat evropian apo amerikan, anëtari i NATO-s, anëtari i Bashkimit Evropian apo i Qeverisë amerikane me dëshmitarë që ne i kemi dëgju që kanë fol për humbje të lopëve, humbje të pasurisë kur dihet që ka qenë luftë apo për ndalim të një bashkëpunëtori të Serbisë që ka punu polic, pylltar që i ka shërby shërbimit ushtarak të Serbisë”, tha Musa për RTK.

Ndërkaq, procesin e ka quajtur të stërzgjatur dhe të mbyllur për publikun, monitoruesi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas tij, publiku dhe monitoruesit kanë pak informata për procesin.

“Trupi gjykues duhet ta ketë parasysh që të njëjtit që një kohë të gjatë janë duke qëndruar në paraburgim dhe duhet të merren masa që ky proces të përshpejtohet dhe sa më shpejt të kemi një vendim të shkallës së parë. Tanimë me dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve të prokurorisë dhe administrimit të provave materiale nga ana e prokurorisë, sigurisht që shumica e kushteve për caktimin e paraburgimit tanimë kanë përfunduar dhe nuk mund të ekziston mundësia e ndikimit në dëshmitarë të prokurorisë sepse tanimë janë dëgju”, thaksoi ai.

Javën e kaluar, Apeli Ia refuzoi Veselit, Krasniqit dhe Selimit kërkesën për lirim të përkohshëm, ndërkaq u raportua se prokuroria ka kërkuar nga gjykata që t`ia ndalojë Thaçit vizitat nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, me arsyetimin se po e informojnë për situatën politike dhe ekonomike në vend.

Të ngjashme

Të fundit